

Strasburg, NOA.al/Blerina Gjevori – Elita financiare dhe bankare në vendet perëndimore, dominoi ligjet, i bëri bordet të heshtin për të mbrojtur interesat e tyre egoiste. Një disfunksionim i shtetit ligjor ishte në themel të krizës që ishte një lloj krize si ajo e skemave piramidale shqiptare.
Këtë krahasim e ka bërë Kryeministri Sali Berisha, pasi ai mori pjesë sot në punimet e Forumit Ndërkombëtar për Demokracinë, që zhvillohet nga Këshilli i Evropës, në Strasburg.
Berisha ka folur në emër të Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe iu adresua Forumit në sesionin me temë “A kanë nevojë tregjet për demokracinë dhe anasjelltas?”.
Në fjalimin e shkurtër që mbajti, Berisha u ndal në situatën 20 vjeçare në Shqipëri, por më shumë tek periudha e piramidave që u pasuan nga rënie të shtetit dhe kaos që zgjati gjatë dhe me pasoja që ndjehen edhe sot.
“Në këtë udhëtim vendi im u përballë më një nga krizat më të vështira që ishte kriza e skemave piramidale. Nga mesi i viteve ’90, shqiptarët humbën kursimet e tyre në skemat Ponzi dhe fonde investimi”.
Berisha tha se në atë kohë (kur ai ishte president), Shqipëria kishte një vakum të plotë të ligjeve që i ndalonin ato, të bordeve që duhej të kontrollonin tregjet financiare jobankare. “Që tregjet të zhvillohen shëndetshëm shteti ligjor është jetësor dhe vendimtar. Për shkak të atij vakuumi vendi im u përball me atë krizë”, – tha z.Berisha.
Dhe menjëherë më pas, shtoi: “Por, edhe 10 vjet me vone, nuk ishte Shqipëria që u përball me këtë lloj krize, por disa vende perëndimorë shumë të zhvilluar, që u përballën pothuajse në mënyrë identike me atë çfarë u përball Shqipëria në vitet ’90. Ata nuk kishin vakuum në ligje, përkundrazi kishin ligje shumë të mira. Nuk kishin vakuum në borde, përkundrazi kishin borde ndër me të kualifikuarat për të vëzhguar tregjet bankare dhe jobankare. Por ajo që ndodhi ishte se elita financiare dhe bankare dominoi ligjet, i bëri bordet të heshtin për të mbrojtur interesat e tyre egoiste. Në këtë rast, një disfunksionim i shtetit ligjor ishte në themel të krizës që ishte një lloj krize si ajo e skemave piramidale shqiptare”.
Në këtë pikë, z.Berisha e vlerësoi kështu situatën: “Le të shikojmë Evropën sot. Jemi këtu në një nga rajonet më të begata, por 11% e njerëzve të botës janë duke konsumuar 50% të faturës sociale të botës, në një kohë kur ata po prodhojnë rreth 17% të GDP të botës. A është i mbingarkuar tregu në këtë rast? Duket se po. Problemi që shtrohet është se elitat qeveritare duhet të ndërmarrin reforma shumë serioze, opinioni publik nuk është shumë mbështetës, sepse nuk janë të bindur se festa mbaroi”.
E duke përfunduar, z.Berisha foli dhe për zgjidhjen duke treguar optimizëm: “Kjo është një nga qindra krizat me të cilën sistemi është përballur prej viteve ‘70 deri më sot. Sistemi ka potencial për tu reformuar prandaj besoj se ai është më i mirë, dhe ta vendosësh në pikëpyetje është e gabuar”. b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





