



Albtelecom dhe Eagle Mobile rrisin investimet dhe shtojnë ofertat në qytetin e Fierit. Të dy kompanitë dhurojnë pajisje për qendrën e të moshuarve në Fier. Shumë shpejt Eagle Mobile do të jetë gati të ofrojë të gjitha shërbimet e teknologjisë 3G me shpejtësinë dhe cilësinë më të lartë në treg
ALBtelecom dhe Eagle Mobile vazhdojnë investimet në infrastrukturë dhe rrjet me qëllim rritjen e kapacitetit dhe cilësinë e shërbimit të ofruar, ndërsa e gjithë infrastruktura e të dy kompanive është përshtatur me teknologjinë më të fundit.
Vetëm në qytetin e Fierit ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë rritur volumin e investimeve. ALBtelecom ka shtuar kapacitetin e rrjetit të shërbimit të telefonisë fikse dhe internetit me 10 mijë abonentët, ndërkohë që investimet dhe rritja e kapacitetit do të vazhdojnë dhe në të ardhmen. Ndërkaq, një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe shërbimit të kujdesit ndaj klientit përmes një rrjeti të gjerë dhe modern dyqanesh.
Në një takim me gazetarët, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, njëkohësisht dhe Drejtor i Grupit të Marketingut në ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Orkunt Jozgat (Orkunt Yozgat), tha se Fieri është një nga qytetet me të rëndësishme në shkallë vendi dhe për këtë arsye investimet në këtë rajon janë të një rëndësie të veçantë.
Ai tha se vetëm në Fier nga investimet e fundit është rritur kapaciteti me 10 mijë abonentë, ndërkohë që investimet në rrjet do të vazhdojnë dhe në të ardhmen. “ALBtelecom dhe Eagle Mobile janë një korporatë e madhe, të cilat ofrojnë që nga shërbimet e telefonisë fikse, internetit, shërbimet celulare dhe shërbimin e internetit në celular, si dhe pajisje të lëvizshme të teknologjisë së fundit. Jemi të gëzuar që me rrjetin e dyqaneve moderne, mund të ofrojmë të gjitha këto shërbime të integruara dhe banorët dhe qytetarët e Fierit do të mund të gjejnë një gamë të gjerë shërbimesh dhe produktesh të telefonisë fikse dhe telefonisë mobile me cilësinë më të mirë në treg”, u shpreh z. Jozgat (Yozgat).
ALBtelecom për qytetin e Fierit ka hedhur në treg një ofertë të veçantë për të gjithë banorët këtij qyteti, 2 Mbps internet PA LIMIT, për vetëm 1999 Lekë në muaj. Paketa ka të përfshirë shërbimin e internetit me ADSL PA LIMIT, Modemin dhe instalimin falas. Pajtimi mujor përfshin dhe TVSH-në në çmim.
Albtelecom ka investuar më shumë se 50 milionë Euro në transformimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kapacitetit të rrjetit. Falë këtij investimi infrastruktura e ALBtelecom në qytetet e Fierit, Lushnjes, Beratit dhe qytetet e tjera të vendit është përshtatur me teknologjinë më të fundit në tregun e telekomunikacionit. Në saje të investimeve të kryera në rrjet kapaciteti i ADSL-së është rritur deri në 240 mijë porta, ndërkohë që ai i telefonisë fikse ka arritur në 550 mijë linja. Përveç rritjes së kapacitetit, ALBtelecom ka investuar në aplikimin e teknologjisë më të fundit në rrjetin e saj. I gjithë rrjeti i telefonisë fikse është emigrur nga teknologjia TDM, e investuar rreth 20 vite më parë, në teknologjinë më të fundit NGN. Në sajë të këtyre investimeve, ALBtelecom tashmë do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime të reja IP multimediale dhe internet me shpejtësi shumë të lartë.
Nga ana tjetër investimi i Eagle Mobile arrin në 90 milionë Euro dhe është në vazhdim e sipër. Nga investimet e deritanishme, Eagle Mobile tashmë ofron një mbulim më të mirë dhe një cilësi të përmirësuar zëri. Shumë shpejt Eagle Mobile do të jetë gati të ofrojë të gjitha shërbimet e teknologjisë 3G me shpejtësinë dhe cilësinë më të lartë në treg.
Krahas investimeve në rrjet dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për abonentët e tyre, ALBtelecom dhe Eagle Mobile vazhdojnë mbështetjen për shtresat në nevojë. Të dy kompanitë dhuruan tavolina, dollapë, karrige si dhe pajisje të tjera për Shtëpinë e të Moshuarve në qytetin e Fierit.
Të pranishëm në ceremoninë e dhurimit ishin Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile z. Orkunt Jozgat (YOZGAT) si dhe drejtues të tjerë të të dy kompanive. Z. Orkunt tha se ALBtelecom dhe Eagle Mobile nuk kanë qëllim të vetëm fitimin në treg, por një pjesë të fitimit të tyre ata e kthejnë në kontribute, projekte dhe sponsorizime për shtresat në nevojë. “Ne jemi shumë të gëzuar që me vizitën tonë dhe përmes këtij donacioni të kemi mundur të sjellim buzqeshje në fytyrën e tyre”, u shpreh ai. Ndërkohë z. Jozgat u takua me të gjithë të moshuarit dhe zhvilloi biseda miqësore me ta.
Ndërkaq, Drejtoresha e Shtëpisë së të Moshuarve në qytetin e Fierit, Vasilika Mëngjesi falënderoi kompanitë ALBtelecom dhe Eagle Mobile për mbështetjen e dhënë për këtë qendër dhe pjesëtarët e saj dhe tha se në saje të mbështetjeve nga kompanitë, shoqatat dhe bizneset kjo qendër mbulon nevoja të konsiderueshme për të moshuarit.
Shtëpia e të moshuarve në qytetin e Fierit është themeluar në vitin 1953 dhe ka një kapacitet prej 60 personash. Aktualisht në këtë qendër qëndrojnë 57 të moshuar, prej të cilëve 16 gra dhe 41 burra, ndërsa shërbejnë rreth 20 punonjës të cilët ofrojnë një shumëllojshmëri shërbimesh për ta.
ALBtelecom dhe Eagle Mobile, në fokusin e projekteve të Përgjegjësisë Sociale, i kushtojnë një rëndësi të veçantë mbështetjes së shtresave në nevojë. Edhe më parë ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë ndihmuar moshat e treta, duke dhuruar mobilje për Qendrën Polivalente Ditore të Shërbimeve Sociale në qytetin e Kamzës, Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë, etj. Vitin e kaluar, të dy kompanitë, projektet e Përgjegjësisë Sociale ia kanë kushtuar arsimit. Ndërkohë, këtë vit në vëmendjen e të dy kompanive është Teknologjia.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





