Transmetuar më 09-09-2012, 00:36

Në fillim ishte thjesht një ide, që e bënte të ndjehej mirë. Pastaj një emision që nisi në TVSH, pa një projekt konkret, me emrin krejt të rastësishëm “E diela debat” që u shndërrua në “Opinion”. Padijen e ditëve të para për kamerat apo transmetimet televizive live. Censura që e zhvendosi pa më të voglin hezitim nga TVSH në Tv Klan. Debatet më të forta, apo ato të pamundurat. Personazhet më karizmatikë apo më të vështirë. Femrat më të bukura apo ato më interesantet përballë tij. Sot, 15 vjet më pas, Blendi Fevziu zbulon gjysmën tjetër të emisionit, atë që është e destinuar të fshihet pas kamerave

Nga Zefina Hasani, gazeta Mapo

Në 31 Gusht 1997 kur doli për herë të parë në ekran live, as që e kishte idenë se çfarë kish nisur dhe as e dinte se sa do zgjaste kjo gjë. Ishte një gjë që thjesht e bënte të ndihej mirë, që i pëlqente, por që mund të zgjaste vetëm atë natë apo edhe disa muaj. Nuk ishte kohë projektesh të gjata, madje nuk ishte fare kohë projektesh. Emisioni nisi pa ndonjë koncept të shkruar, pa faturë financiare, pa plan dhe mbi të gjitha edhe pa një emër. Të mërkurën e fundit të gushtit 1997 Blendi Fevziu ishte në zyrën e Drejtorit të ri të TVSH–së, Edi Mazi, për një bisedë me të. Ishte një bisedë për angazhimin kulturor të TVSH–së e në bisedë e sipër i sugjeroi diçka që e kish menduar ato kohë. Në kaosin e krijuar nga 1997-ta, përballja e palëve në debate publike mund të ishte zgjidhja më e mirë për t’i kthjelluar gjërat. Ishte viti 1997 kur deri atë ditë kishte vetëm një ekran, TVSH–ja, dhe s’kishte pasur asnjë debat politik në Shqipëri. Drejtori Mazi pranoi menjëherë e i tha: “Pse jo, po hajde bëje ti”. Kështu të nesërmen, të enjten, kur u kthye sërish në zyrën e drejtorit mësoi se i kishin caktuar dy pjesëtarë të stafit (një ndihmës që quhej Besnik Kaltanji, njohës i vjetër i televizionit dhe regjisorin Petri Bozo). Atëherë Fevziu nuk e dinte se për një emision duhej skenografi, sigël dhe gjëra të tjera. Madje deri dhe në mbrëmjen e së shtunës nuk kishte menduar ende se emisionit i duhej edhe një emër. Kur regjisori Bozo e kishte pyetur pikërisht për këtë, ai u përgjigj me emrin më të thjeshtë që i vinte ndër mend: “E diela debat”. Kështu do të niste, me një emision për rendin publik dhe çarmatimin e popullatës. Që prej atij 31 gushti 1997, nuk do të dilte më nga ai lloj formati, nga ajo lloj studioje debati (tashmë jo vetëm politik). Kanë kaluar plot 15 vjet që nga fillimi i “E diela debat”.

Debati në studion tuaj, pra emisioni juaj i nisur në TVSH,  sot vijon në TV Klan, nën logon  “Opinion”, që është shndërruar pa diskutim në një fenomen, në një pikë orientimi, po atëherë në fillimet e tij, çfarë do ta quanit?

Një ide që më bënte të ndihesha mirë dhe mjaft argëtuese. Më pas u duk sikur mori një profil të ri sepse në klimën e tensionuar të 1997-ës përfaqësuesit e palëve që qenë ndeshur edhe deri me armë, uleshin me njëri-tjetrin jo vetëm në studio, por edhe në kafe pas emisionit.

Thatë që emisioni i parë ishte për rendin publik dhe çarmatimin. Po personazhet e parë, që siç e thotë një shprehje popullore “bënë këmbë për herë të parë” në studion tuaj, cilët ishin?

Duke qenë se tema ishte për rendin dhe çarmatimin, merrnin pjesë ministri i Brendshëm, Neritan Ceka, Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, kryetari i Komisionit parlamentar të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga dhe direkt, deputeti i PD-së, Azem Hajdari. Në linjë ishin korrespondentët nga Vlora dhe Gjirokastra, të cilët raportonin për ndjekjen e bandës së Zanit, apo për situatën në Sarandë. Në emisionin e dytë qenë të ftuar ministri i Drejtësisë, Thimio Kondi, ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe deputeti Spartak Ngjela, në lidhje direkte ishte ministri i Reformës Institucionale, Arben Imami. Emisioni i tretë qe më i bujshmi. Në të ishin përballë njëri-tjetrit ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali dhe Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen, Perikli Teta. Debati qe i tensionuar dhe lidhej me thelbin e ngjarjeve të 1997-ës dhe hapjen e depove. Zgjati plot 3 orë e gjysmë dhe mbaj mend që Zhulali mori leje të pinte cigare në studio. Kjo sot duket e çuditshme, por në atë kohë ishte normale. Ai debat pati një ndjekje të jashtëzakonshme dhe i dha hov emisionit.

Sot, kur studioja televizive është bërë terreni më i zakonshëm për ju, mund të duket çudi po t’ju pyesin a keni emocione kur dilni para kamerave, por jam kurioze të di a kishit në atë herë të parë?

Nuk e di. Kur shoh sot filmimet e emisionit të parë e ndjej që kam folur shumë ngadalë dhe si me rrokje. Unë vetë s’i kam ndjerë emocionet në atë kohë. Ndoshta edhe pse s’e dija as ç‘ishte kamera, as transmetimi live. Unë fiksohesha tek biseda me bashkëbiseduesit.

Ishte bukur të kaloje nga media e shkruar – dihet që keni drejtuar “Koha Jonë”, “Aleanca”, “Poli i Qendrës”, “Korrierin” … në drejtimin e një emisioni televiziv?

Ishte ndryshe, shumë ndryshe. Po ndoshta nga mungesa e njohjes ose nga injoranca në këtë drejtim, unë e kam kaluar pa kuptuar dhe më lehtë sesa po ta mendoja këtë gjë…

Pse u transferua në “Klan” vetëm një vit pasi nisi ky emision? A mund të themi që nisi të funksionojë që atëherë ajo që sot është më e zakonshmja, “se pata një ofertë më të mirë”?

Jo, nuk lidhet me këtë gjë. Në datën 13 shtator unë kisha një emision me ministrin e Rendit, Perikli Teta. Mesditën e datës 12 shtator u takova me të dhe fola edhe informalisht për problemet e rendit. Po atë pasdite, përpara selisë së PD-së u vra Azem Hajdari. Emisioni nuk u bë dhe datat 13 dhe 14 qenë tejet të tensionuara. Ngjarjet e 14 shtatorit janë nga më dramatiket në këto 22 vjet. Më 20 shtator duhej që Teta të vinte në emision tashmë me një axhendë të re, atë që lidhej me vrasjen e Hajdarit dhe ngjarjet e 14 shtatorit. Dy ditë përpara emisionit të anonçuar, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH–së, i ndjeri Ardian Klosi, i kërkoi drejtorit të TVSH–së që intervista të mos transmetohej. Kërkesës së drejtorit Mazi për një urdhër me shkrim, Klosi iu përgjigj me një letër, në të cilën i sqaronte se Teta nuk mund të lejohej të jepte një intervistë për ngjarjet e 14 shtatorit, sepse ai ishte në moshë dhe mund të rrëfente pa dashje sekrete shtetërore. Intervista u ndalua. Teta, pak ditë më pas u shkarkua nga posti i ministrit të Brendshëm. Censura mbi emisionin ishte e papranueshme dhe brenda ditës unë u zhvendosa në TV Klan, që në atë kohë, sidomos me ngjarjet e 14 shtatorit kishte marrë hov. Por “Klani” kish nisur të transmetonte programacion jo më shumë se 2 muaj më parë. Një javë më pas, më 27 shtator ndërtuam në katin përdhes të TV Klan një studio identike si ajo që kisha në TVSH dhe nisa. 14 vjet më pas jam ende këtu.

A ka qenë në diskutim ndonjëherë kalimi në ndonjë tjetër ekran?

Ka pasur gjithnjë oferta, por s’është diskutuar asnjëherë. Kur në 1998-ën u transferova në TV Klan, më mungonte studioja e madhe e TVSH–së. Ngjela, kur erdhi aty, më tha: “Si katandise kështu, ike nga pallati dhe hyre në kasolle”. Më 2010-ën, kur u riktheva në TVSH për të dhënë një intervistë mbi fillimet e emisionit, studioja ime e parë m’u duk kasolle përpara studios gjigante që kam në TV Klan.

Ç’ndryshim do të pësonte “E diela debat” nga “Opinion”, apo thjesht emërtimin?

Ka pasur shumë ndryshime, por thelbi është i njëjtë. Baza e tij është ballafaqimi i dy ideve të kundërta.

Kemi një shifër konkrete, një 15-vjetor të këtij emisioni. A mund të ketë një shifër po kaq konkrete të personazheve që janë ulur në atë studio? Zërat thonë se ka shkuar në 5000 numri i të ftuarve tuaj…

Unë kam një statistikë të plotë të të gjitha emisioneve. I kam të gjitha në kompjuter, me data dhe emra të ftuarish. Deri në 30 korrik të këtij viti janë 1478 emisione, 90 % e të cilëve live dhe më shumë se 7300 të ftuar. Këtu nuk llogariten ritransmetimet.

A ka mbetur njeri, sigurisht nga ata që keni dashur ju, pa ardhur në atë studio deri më sot?

Po, njëri po. Ibrahim Rugova. E kam takuar shumë herë dhe kam folur me të, por pas vitit 1999 ai nuk pranoi në asnjë mënyrë të jepte intervistë.

Duke iu bërë një analizë personazheve të politikës që keni pasur në gjithë këto vite, a mund t’ju pyes që cilin prej tyre keni “zbutur”, latuar, përshtatur më shumë me studion e përballjen me ju?

Nuk e di këtë gjë, sinqerisht. Ka njerëz që janë shumë të ngurtë dhe me vite kanë mbetur të tillë. Ka njerëz që janë shumë të këndshëm në emision. Vitet i kanë ndryshuar shumë. Në fillim kishin emocione, mezi flisnin, kërkonin platforma dhe pyetje. Tani vijnë pa asnjë lloj shqetësimi.

Cilin kujtoni si debatin më të fortë në këto 15 vjet?

I fortë dhe cilësor janë dy gjëra të ndryshme. Të fortë kanë qenë shumë. Ndër më të veçantët unë nënvizoj debatin Zhulali – Teta në shtator 1997, Rama – Mustafaj në shtator 2000, Nano – Berisha në janar 2002, dhe shumë debate të këtyre viteve.

Cili është debati që s’keni realizuar dot?

Ohu, ka shumë të tillë. S’më mjafton një listë t’i shënoj të gjithë.

Cili është personazhi më i vështirë që keni pasur në studion tuaj?

Jusuf Vrioni. Në janar të vitit 2000 kur erdhi të jepte intervistën, u bë pishman ndërsa ngjiste shkallët. Ishte tip që s’e pëlqente kameran. E nisi me inat, shfrynte, nuk donte të përgjigjej dhe pak nga pak u zbut. Kur e pa intervistën më mori në telefon, më kërkoi falje dhe më falenderoi. Ishte intervista e vetme që dha në jetë.

Po më karizmatiku?

Veç njerëzve politikë si Berisha e Nano, mbetet padyshim Ismail Kadare!

Cila ka qenë femra më e bukur përballë jush, në studion tuaj?

Nuk kam qenë vetëm për vetëm përballë me ndonjë femër të bukur. “Të bukur” sipas stilit që po më pyesni ju. E vetmja në këtë drejtim mund të ketë qenë Alba Parieti. Në emisione pastaj është ndryshe.

Po më interesantja?

Ka disa interesante. Por nuk janë ato që dalin në kopertina revistash zakonisht.

A ka pasur rast kur ndokush ju ka vënë në situatë të vështirë, nëse po, cila është zgjidhja që i keni dhënë?

Me siguri po, por nuk është se kujtoj në mënyrë specifike diçka të tillë.

A jeni penduar pse keni vënë në siklet më shumë nga ç’duhej, në bankën e të akuzuarit, ndokënd në studion tuaj?

Jo, asnjëherë!

A ka pasur raste kur jeni penduar për dikë, pse e ftuat në studion tuaj?

Po, kjo ndodh pothuajse çdo javë. Por qëllon që pastaj po atë personazh je i detyruar ta ftosh prapë. Emisioni dhe dinamika e tij janë të tillë.

A është e gjatë shumë lista “ky njeri nuk shkel më në studion time”?  I përkasin më shumë politikës apo ndonjë fushe tjetër?

Nuk ka ndonjë listë të tillë. Madje shpesh më kap e qeshura kur i shoh që vijnë si me siklet njerëz që më kanë sharë ose sulmuar në shtyp. Po kjo s’ka rëndësi, emisioni dhe marrëdhëniet private janë dy gjëra të ndryshme. Unë mund të mos ulem me njerëz për drekë apo darkë, por në emision ka një logjikë tjetër. Në fund të fundit, ata janë të publikut dhe jo të mitë.

Cilën do të quanit si  kohën më të mirë për “Opinionin”?

Duhet të ndajmë historinë nga e përditshmja. Emisionet që kanë diktuar dhe ndikuar fort momentin janë më të rëndësishmit, por s’ka asnjë dyshim që sot është koha më e rëndësishme. Emisioni ka shumë më tepër seriozitet, më shumë vëmendje dhe shumë më tepër punë.

Cilën do të quanit kohën më të mirë për Blendi Fevziun?

Padyshim atë kur u përfshiva në një projekt pa e ditur nëse mund të quhej i tillë. Që hyra në ekran live, 28-vjeçar, pa qenë kurrë më parë përpara kameras si moderator. Kur mbusha 30 vjeç kisha intervistuar një duzinë ministrash, kryeministrash apo presidentësh të Europës. Jam i sigurt që shumë prej tyre mund t’iu jem dukur i çuditshëm, një çunak. Po kur mendoj se kam drejtuar gazetën e dytë më të madhe në vend dhe kam qenë kryeredaktor 23 vjeç, e gjitha bëhet më e thjeshtë.

Pa “Opinionin” do të kishte qenë më e lehtë apo më e vështirë shkrimi i librave që mbajnë emrin tuaj tashme në treg, që nga i pari “100 ushtarë” botuar në ’92, e deri tek i fundit, “Enver Hoxha” Biografi…

Këtë nuk e di. Për librat më shumë më kanë ndihmuar esetë dhe dosjet e revistës “Klan” sesa emisioni.

Dhe një pyetje, jo më për të shkuarën, por për të tashmen…kur fillon sezoni i ri i “Opinion” dhe cila do jetë tema e parë?

Fillon të hënë më datë 10 shtator, në mbrëmje, ora 22:30, me një dokumentar shumë interesant që rrëfen 15 vitet e opinionit.

Nis me një festë këtë herë, të hënën pasdite… apo jo? Kush janë të ftuarit dhe të paftuarit?

Po, në ora 18:30 do ketë një event të madh në oborrin e TV Klan për 15-vjetorin e OPINIONIT. Do jenë afro 400 të ftuar, miq të përhershëm të studios që do të festojnë bashkë me ne.

Të ftuarit janë po ata që janë thuajse gjithnjë. Shtohen nga pak, hynë të rinj, dalin të vjetër. Të paftuarit janë ata që s’kanë të bëjnë me emisionin, por që gjithsesi vijnë edhe pa ftesë nëpër pritje.

Mbi 400 të ftuar në festën e Fevziut, edhe Berisha me Ramën

Ditën e hënë, një nga emisionet më të ndjekura në televizionet shqiptare “Opinion” mbush plot 15 vjet transmetim. Pikërisht në këtë ditë që përkon edhe me nisjen e sezonit të ri, gazetari Blendi Fevziu ka organizuar një pritje madhështore në ambientet e televizionit “Klan”. Kjo do të jetë një nga pritjet më të mëdha që gazetari i njohur ka zhvilluar deri tani. Blendi ka vendosur që në këtë përvjetor të ketë të ftuar të gjithë pjesëmarrësit në emisionin e tij. Lista mësohet të jetë e gjatë, në total prej mbi 400 të ftuarish. E sigurisht në një mbrëmje të tillë vështirë se ndonjë mund të mungojë, po të kemi parasysh reputacionin dhe rëndësinë që ka “Opinion” në të gjitha shtresat dhe ngjyrimet politike në Shqipëri. Interesant mbetet fakti nëse edhe kryetari i opozitës, Edi Rama do t’i bashkohet kësaj pritjeje apo jo, ku me siguri do të jenë prezent edhe kundërshtarë të tij politikë. Për një kohë të gjatë Rama ka refuzuar të jetë pjesë e “Opinionit”, duke pranuar ftesën e Fevziut vetëm në maj të këtij viti.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit