

"Së fundi u zgjodh edhe Presidenti ri, me vështirësi, por sipas të gjitha procedurave ligjore. Kryeministri i propozoi Presidentit Visho Ajazin për Kryetar të Shërbimit Informativ, Presidenti e pranoi dhe e dekretoi emrin e Visho Ajazit. Kaq. Kaq dhe vetëm kaq. Të tjerat lidhur me zgjedhjen e Visho Ajazit, janë dëngërmëngër, llafe, muhabete, thashetheme, subjektivizma, inate, zilira, ethe për të ardhur në pushtet sa më shpejt"…
Nga Edison Ypi
Po shoh këto ditë filmin “Borgia”. Është rrëfimi i zgjedhjes së Papës Aleksandri VI. Përshkruhen në atë film peripecitë Politike të Italisë ende të pa bashkuar të Shekullit XV – fillimi i Shekullit XVI. Intriga të llahtarëshme, prapaskena të frikëshme, marrveshje të fshehta me përmasa gjigante, dallavere, shitblerje, krime, inceste, helmime. Të gjitha këto dhe të tjera mes kardinalëve për të zgjedhur Papën. I cili më së fundi u zgjodh.
Prej shekujsh, si rregull i Kishës, Papën e zgjedhin Kardinalët të mbyllur në një sallë. Jo me çelës. Me mur me tulla. Ku Kardinalët, jo vetëm janë të izoluar, por as nuk mund të hanë sa kohë Papën e ri nuk e kanë zgjedhur dhe tymi i bardhë mbi oxhak ende s’ka dalë.
Katalani Rodrigo Borgia derisa u zgjodh Papë dhe u quajt Papa Aleksandri VI, bëri intriga dhe krime të pa imagjinueshme që s’po zgjatem t’i rendis për të mos ia ngjethur mishin lexuesit. Së fundi, kur, votim pas votimi, votë pas vote, i duhej edhe vetëm 1 votë, atë votë Kardinali Borgia ia mori një tjetër Kardinali, i cili Kardinal ishte fshehur në një qoshe dhe po qante. Jo nga ndonjë pakënaqësi për ndonjë padrejtësi, dhe as për ndonjë arsye tjetër, por nga uria. Në atë qoshe vajti e gjeti Borgia kardinalin e uritur të cilit, në këmbim të votës, fatale ose papale, quaje si të duash, i dha dy copa të vogla buke që i kishte fshehur për një eventualitet të tillë sa duket prej tij të parashikuar.
Nga zgjedhja e Papës Aleksandri VI, te zgjedhja e Visho Ajazit Kryetar i Shërbimit tonë Informativ, kanë kaluar shekuj.
A mund të hiqet ndonjë paralele, a ka ndonjë ngjajshmëri mes mënyrës së zgjedhjes së Papës Aleksandri VI dhe zgjedhjes së Visho Ajazit Kryetar i Shërbimit Informativ Shqiptar?
Nuk ka absolutisht asnjë ngjajshmëri. Sepse sot Shqipëria ka Parlament të zgjedhur nga populli. Qeveri dhe Kryeministër gjithashtu të zgjedhur. Së fundi u zgjodh edhe Presidenti ri, me vështirësi, por sipas të gjitha procedurave ligjore. Kryeministri i propozoi Presidentit Visho Ajazin për Kryetar të Shërbimit Informativ, Presidenti e pranoi dhe e dekretoi emrin e Visho Ajazit. Kaq. Kaq dhe vetëm kaq. Të tjerat lidhur me zgjedhjen e Visho Ajazit, janë dëngërmëngër, llafe, muhabete, thashetheme, subjektivizma, inate, zilira, ethe për të ardhur në pushtet sa më shpejt.
Po a vallë e solla kot në vëmendje rastin e zgjedhjes së Papës në mesjetë?! Jo-jo, nuk e solla kot në vëmendje rastin e zgjedhjes së Papës. E solla në vëmendje sepse, vërtet nuk ka asnjë ngjajshmëri, por ka një lidhje të tërthortë shumë të fortë mes Papës mesjetar dhe Visho Ajazit.
Cila është ajo lidhje?
Është kuptimi, botkuptimi, vlerësimi, tiposja, qasja mesjetare, plot me intriga, kuptime të mbrapshta, nënkuptime, qëllime të fshehta, krime, që gëlojnë brenda kokave të klyshave të kurvit, të cilët, pavarësisht se si shfaqen, gjoja perëndimorë e të qytetëruar, e ç’thonë e ç’llomotisin si gjoja të ditur e të mësuar, nuk bëjnë, në thelb, asnjë dallim mes shtetit ligjor pluralist dhe shtetit mesjetar kurvor nga barku i të cilit kanë dalë dhe nuk e harrojnë kurrën e kurrës derisa të vdesin si porosi të çmuar, urdhër të fundëm etërish banditë, hajdutë dhe halabakë që e vranë, e mjeruan, e varfëruan, Shqipërinë dhe shqiptarët deri atje ku fjalët s’mjaftojnë.
Klyshat e kurvit, edhe ata që mbahen dhe i mbajnë si gjoja më të ndriturit, nuk bëjnë asnjë dallim mes Sigurimit të Shtetit të kohës së kurvit dhe Shërbimit Informativ të Shqipërisë demokratike pluraliste. Kjo është distanca. Ky është dallimi mes shumicës së shqiptarëve dhe klyshave të kurvit.
Pikërisht aq shekuj sa kanë kaluar nga zgjedhja e Papës Aleksandër, aq është prapambetja e klyshave të kurvit të cilët atje, në mesjetë te Borgia u kanë mbetur ora dhe mendja, dhe bëjnë sikur habiten, revoltohen, bërtasin.
Dhe kanë të drejtë. S’ka se si të jesh klysh kurvi dhe të mos habitesh nga një zgjedhje e thjeshtë me zbatim të përpiktë procedurash. Klyshat e kurvit, çfardo qofshin, fanatikë, nostalgjikë, të etur për pushtet, politikanë, gazetarë, nuk i përfytyrojnë dot ndryshe zgjedhjet veçse si tërësi intrigash, vjedhjesh, prapaskenash, krimesh.
O klysha kurvi mblidheni mendjen. As ky Kryeministër që kemi dhe asnjë kryeministër tjetër që do kemi nuk do jetë i detyruar dhe as mendja do t’i vejë t’ju pyesi ju se cilin do zgjedhi e cilin do shkarkojë, kur do e zgjedhi e pse do e zgjedhi për Kryetar të Shërbimit Informativ dhe për gjithkënd tjetër dhe për çdo rast tjetër sa kohë vepron brenda Ligjit.
Këto janë gjëra fare të thjeshta, krejtësisht evidente. Por janë edhe revoltuese kur dëgjon klyshat e kurvit të reagojnë në këtë mënyrë. Se do ishte ndoshta deridiku e kuptueshme nëse Visho Ajazi do rridhte, ta zëmë, nga ndonjë familje apo fis si i imi, domethënë fis “kolaboracionistësh” dhe “kuislingësh”. Por rasti, që mund të ishte fare mirë edhe ky, nuk është ky. Sa di unë, Visho Ajazi nuk ka një prejardhje të tillë.
Se klyshat e kurvit kanë edhe një huq që s’e harrojnë kurrë. Përhapin tinëz gënjeshtra të tilla që, sipas tyre, të gjithë të tjerët, ato gënjeshtra duhen t’i marrin si të vërteta. E tillë është edhe gënjeshtra që prej dje kanë vënë në qarkullim përmes një zagari. Sikur Amerika dhe në përgjithësi Perëndimi na qenkan habitur me zgjedhjen e Vishos Kryetar të Shërbimit Informativ. Dhe kjo na qenka marrë vesh nga një telefonatë që redaksia e zagarit, ose vetë zagari, i paska bërë “një autoriteti të rëndësishëm të Ambasadës amerikane”. Domethënë shpifje e ndyrë zagarësh mediatikë, për të cilët shqiptarët janë aq budallenj sa këto gënjeshtra të qepura kaq trashë nuk i kuptojnë dot.
O klysha kurvi që nuk zini mend.
Në kushtet e sotme, Visho Ajazi, i shkolluar, i aftë, i qytetëruar, i respektuar, i ndershëm, i paanshëm, do jetë, as më pak e as më tepër, thjesht dhe vetëm një nëpunës shteti si gjithë nëpunësit në shërbim të shtetit të tij, detyrë që me siguri do ta kryejë me përgjegjësi dhe dedikim, asgjë tjetër.
Hajt pra punë të mbarë në detyrën e re, o Visho Ajazi! Harroje ’97-ën e dhimbshme. Skema financiare mashtruese kanë ndodhur edhe para “Borgia-s”, ndodhin sot e gjithë ditën në të gjithë botën, dhe do ndodhin edhe në të ardhmen. Ato nuk ka bërë vaki’ kurrë t’i shpiki ndonjë kryeministër. Kujdes të veçantë bëj me ndyrësirat e Kombit, që janë klyshat e kurvit. Se ata vërtet janë pak, por jo aq pak sa të neglizhohen. Le të llapin. Llapja e klyshave të kurvit Shqipërisë s’i prish asnjë punë. Por nëse do kuturisin të bëjnë ndonjë gjë konkrete, për shembull të sulmojnë institucionet, prishin shumë punë. Ti mundesh t’u bësh ballë atyre. Ti je i fortë, ata janë të dobët. Ti je trim, ata janë spurdhjakë. Ti je modern, ata janë mesjetarë. Ti je i mësuar, ata janë gdhë. Më tepër kujdes me klyshat e kurvit që rrinë fshehur, strukur, me ata që nuk i nxjerrin kryet. Se këtyre që llapin hapur, këtyre të mediave, këtyre ua laj unë kokën, ua kreh unë flokët, ua pastroj unë retinën, ua heq unë dyllin nga veshët.
"Mapo"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





