

Serbi, 2 gusht 2012, NOA – Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku deklaroi se në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të përfshihet edhe çyshtja e Kosovës Lindore.
“Lëvizja për Bashkim, në parim, i mirëpret deklarimet dhe angazhimet e faktorëve politik ndërkombëtarë për një dialog politik në mes të Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura në mes të dy shteteve dhe popujve. Mirëpo, insistoi që bisedimet Kosovë-Serbi vetëm për veriun e Kosovës duke e anashkaluar Kosovën Lindore, jo vetëm që nuk përbëjnë zgjidhje të përhershme të problemit, por e dëmtojnë rëndë Kosovën dhe çështjen shqiptare, si dhe do të rrisnin rrezikun për destabilizim politik të rajonit në të ardhmen”, deklaroi kreu i LB-së.
Në vazhdim, Klinaku tërhoqi vërejtjen se “…ekziston rreziku i madh që përgjegjësit politikë të Kosovës të hyjnë në bisedime politike duke u deklaruar se nuk do të ketë bisedime! Kjo do të bënte që të hyjmë të papërgatitur në to dhe, në këtë rast, dëmet mund të jenë shumë të mëdha, sepse rreziku i vërtetë Kosovës nuk i vjen nga bisedimet politike, por nga platforma mbi të cilën udhëhiqen ato. Dhe në qoftë se ne nuk angazhohemi rreth platformës sonë, por vazhdojmë të insistojmë se nuk do të ketë bisedime politike do të përfundojmë duke biseduar me platformë të të tjerëve”.
Në këtë drejtim ai shtoi se “Lëvizja për Bashkim pret nga institucionet e Republikës së Kosovës që ta trajtojnë seriozisht situatën nëpër të cilën po kalojmë dhe të organizojnë një tryezë konsultuese të partive politike shqiptare të Republikës së Kosovës dhe të subjekteve politike shqiptare të Kosovës Lindore ku do të harmonizohej platforma për bisedimet politike Kosovë-Serbi, që do t’u shërbente përfaqësuesve të Kosovës si udhëzues për ato bisedime”.
noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





