Transmetuar më 23-07-2012, 09:02

"Të njëjtën gjë që e lexojnë të gjithë, pas bluajtjes me mokrrat e mendjes, secili nxjerr miellin e vet. Mund të shkruhet një roman i tërë, i lirë, pa absolutisht asnjë qëllim për të qënë një roman i mbyllur, i enkryptuar, hermeik, por roman totalisht i hapur, dhe mbi të gjitha tepër i bukur, dhe si i tillë të perceptohet prej të gjithëve, por që megjithatë brenda është plot me përdredhje, marifete, truke"…

Nga Edison Ypi

Pse kuçedra nuk po ia kthen autorit dorëshkrimin e "Dimri i vetmisë së madhe" ? Sepse po e lexon. E pati lexuar një herë e një kohë bashkë me kurvin. Edhe e pëlqyen edhe s’e pëlqyen, por më tepër e pëlqyen. I bënë disa "vërejtje", dhe e lejuan. Por leximi i atëhershëm me leximin e tanishm janë krejt të ndryshëm. Gjatë leximit të tanishëm kuçedra po bën zbulime të mëdha. Kuçedra e kishte ditur se;

Mjafton të mos jesh analfabet dhe mund të lexosh çdo gjë. Ka vetëm një mënyrë shkrimi, sipas oreksit të kurvit, dhe vetëm një mënyrë leximi, të bindjes së verbër.

A-ja dhe x-i, a dhe x shkruhen, a dhe x lexohen.

Shkruesi është shkruesi, lexuesi është lexuesi, urdhëruesi i të dyve është kurvi.

Ajo që në një libër lexon njëri, është po ajo që në po atë libër lexojnë të gjithë.

Pra kuçedra kishte pasur bindjej se gjithçka ka lidhje me të shkruarin është analoge, kronologe, linere, dhe sidomos kurvologe.

Mirpo, nga leximi që prej 20 vjet e tëhu kuçedra po i bën dorëshkrimit të "Dimrit", po i del se s’paskësh qënë ashtu. Jo se ka ndërruar mendje, është bërë më e mirë, më e butë, etj, se kuçedra kuçedër mbetet. Por kuçedra nga leximi rishtaz i këtij dorëshkrimi po mëson ca gjëra të tjera. Që s’ngjajnë fare me rregullat e teksteve të pusulleve për pushkatime, vrasjeve pas shpine, gjyqeve të kurdisura, kritikave makabre nëpër plenume, fjalimeve entuziaste nëpër kongrese, si; Mund të jesh analfabet, dhe di të lexosh. Mund të jesh edhe akademik, madje edhe kuçedër dhe kurv, dhe të mos dish të lexosh. A-ja dhe x-i mund të shkruhen "a" dhe "x", por mund të lexohen gjithçka.

Sidomos kur autori është gjenial, e ndërron vendin me lexuesin pa problem.

Të njëjtën gjë që e lexojnë të gjithë, pas bluajtjes me mokrrat e mendjes, secili nxjerr miellin e vet. Mund të shkruhet një roman i tërë, i lirë, pa absolutisht asnjë qëllim për të qënë një roman i mbyllur, i enkryptuar, hermeik, por roman totalisht i hapur, dhe mbi të gjitha tepër i bukur, dhe si i tillë të perceptohet prej të gjithëve, por që megjithatë brenda është plot me përdredhje, marifete, truke. Pra, konkluzioni që kuçedra, për fatin e tyre të zi, as kurvit dhe as kuçedrës s’u kishte vajtur kurrë mendja, është se s’ka fort’ rëndësi se çfarë shkruhet dhe çfarë lexohet, por çfarë pas shkrimit dhe leximit mbetet, mendohet. Dhe tek mendon këto kuçedrës i vjen të plasi që kurvi iku pa e ditur se për të njëjtin libër nuk ka një, por shumë mënyra shkrimi, dhe pafundëisht mënyra leximi. Prandaj edhe s’po ngordh kuçedra. Sepse nga leximi i dorëshkrimit të "Dimrit" po e mbajnë gjallë emocionet e këtij lloji.

Duke lexuar atë dorëshkrim, kuçedra pyet veten; Si ka mundësi që Plaka Nurihan, ajo e strukura me dhjetra vite nëpër bodrume e zhytur mes valëve të radios rrëzë veshit si zhytësit e perlave me shpresë për të kapur ndonjë haber nga perëndimi, paska qënë Zonjë e Madhe, ndërsa unë vetë, unë kuçedra, që ngrifesha nëpër tribuna paskam qënë një legene, një telendare dhe një zabërhane që s’e paskam pasur shoqen ?! Si paska qënë e mundur që Ekrem Fortuzi, ai që pas Fërngjishtes iu desh të mësojë edhe Rusishten dhe Kinezçen, ai që, gruan e vet, për t’iu dukur më e bukur, e shihte nga brima e çelësit të banjës kur ajo bënte dush, ishte një Zotni i Madh, ndërsa burri i saj që mburrej se sfidonte superfuqira ishte thjesht një kurv, që s’mori dot asnjë diplomë, që s’dinte asnjë gjuhë të huaj ?! Janë të tilla pyetje pra që po e bëjnë kuçedrën të mos e lëshojë origjinalin e "Dimrit" nga dora.

Dhe belaja mbi belara është se për 20 vite ska arrirur ende as te gjysma. Ndërkohë autori e do dorëshkrimin. S’do ment që e do. I përket. Është i tiji. Si zgjidhet ky ekuacion ndërkohë që kuçedra s’e ka hiç ndërment ta lëshojë nga dora atë dorëshkrim deri sa t’i dali fryma ? Se është edhe tjetri problem, si të thuash, etik. Nuk është mirë që askujt, qoftë edhe kuçedër apo kurv, t’i lihet në mes një lexim. Problem ky që nxjerr tjetrën vështirësi; Pavarësisht se mund t’i duket vetja shqiponjë që jeton 800 vjet, a i mjaftojnë kuçedrës ditët e mbetura për t’ia dalë m’banë atij leximi deri në faqen e fundit ? Mund të sugjerohet se i duhet thënë kuçedrës ta shpejtojë leximin. Nuk është zgjidhje. Është ngutje. Ngutje që do ta shpinte kuçedrën tek mënyra e parë e leximit, asaj mënyre leximi kur Plakën Nurihan e quante të mbaruar dhe veten bashkë me kurvin, të pavdekshëm. Besnik Strugën "Djalë i mirë, që, edhepse me ndonjë të metë, kuadër me perspektivë". Zanën "Kurvë, së cilës s’kemi ç’i bëjmë", se, si e ka thënë Napoleoni, ne femrat në thelb të gjitha kurva jemi. Raqin, Shefin e Kuadrit, "vegël pakëz bezdisëse, por e vyeshme". E gjitha kjo mund të shihet edhe në një tjetër këndvështrim. Me mënyrën e parë të leximit, kuçedra dhe kurvi kënaqeshin, lumturoheshin. Me këtë mënyrën tjetër që kuçedra po e zbulon pakngapak, kuçedra vuan. Dhe e habit pafundësisht konstatimi tronditës  se si ka mundësi të vazhdosh të bësh me shumë dëshirë, në këtë rast të lexosh, diçka që të bën të vuash. Pra si mund të jetë leximi vuajtje dhe vazhdimi i leximit, pra vazhdimi i vuajtjes, kënaqësi. Kuçedra e kishte ditur se leximi është një kënaqësi e pandalëshme që vjen nga një lumturim i pafundëm, dhe jo një kënaqësi e pafundme që vjen nga një vuajtje e pandalëshme. Tek bluan të tilla në mendje, kuçedrën e zë një ankth e një siklet e një dëshpërim i papërshkruëshëm për kurvin që i iku pa mësuar si lexohet duke vuajtur. Dhe atypëraty qorton veten duke u habitur se si dhe pse po ndodh që kurvin e ngordhur nuk po e fton, si do deshte dhe si do ishte e udhës, në një kënaqësi dhe në një çlodhje, por në një vuajtje dhe në një lodhje. I ikën truri Kuçedrës kur duke lexuar ndjen se asaj dhe kurvit autori ua rrëshqiti dhe ua futi ëmbël e ëmbël me, për shembull, pohime të tilla si; "Një urrejtje e gjatë ka prirjen të kthehet në dashuri". Dhe tek lexon këtë, kuçedra përplas kokën pas muri në një përpjekje të dëshpëruar për të gjetur se në çfarë vallë tenton të shndrrohet një dashuri e gjatë.

Megjithatë duhet pasur parasysh se pavarësisht nga këto dhe të tjera delire prej kuçedre, askush nuk e lëshon nga dora një dorëshkrim origjinal që po e lexon. Dhe nuk është mirë t’i kërkosh, e aq më tepër t’ia rrëmbesh, edhepse ska asnjë gjasë që kuçedra ta mbarojë në të gjallë leximin e dorshkrimit.

Ka ndoshta një variant, si të thuash, piramidal apo faraonik, për ta zgjidhur këtë problem. T’i jepet me vete, të vazhdojë të lexojë e të vuaj "andej" dorëshkrimin. Mirpo meqë nga andej, si e ka thënë dhe Shekspiri, deri më sot s’është kthyer askush që të japi garancitë e duhura për lexime që edhepse me vuajtje, prapseprapë vazhdojnë, ky variant bie poshtë.

Prandaj zgjidhja më e mirë është të vazhojë të lexojë dhe të vuaj "këtej". Mirpo, meqënëse është fjala për një lexim praktikisht të pafundëm, i bie që kuçedra të mos ngordhi kurrë. S’ka problem. Nuk do t’i dali kurrë fryma, por do vuaj pafundësisht. Për më tepër që, për arësyet e sipërpërmendura mbi duart e dridhura dorëshkrimi i "Dimrit" do jetë më i sigurtë se brenda arkivave të ftohta.

Ky lexim i pafundëm torturues do t’i lerë të kënaqur të gjithë. Sepse do jetë më i tmerrshëm se çdo hak i pa marrë, gjyq i pabërë, dënim i padhënë. Megjithatë, për arësye tashpërtash të errëta mbi të cilat ,mund të hidhet dritë ndoshta vetëm duke iu referuar themeleve të ekzistencës, si mund të jenë, për shembull, kuadratura e rrethit apo Konstantja e Plankut, si-ja dhe pse-ja e diçkaje për të cilën do ishin dakord të gjithë, si kuçedra, vetë kurvi dhe viktimat e të dyve, si-ja dhe pse-ja që kjo që po ndodh me kuçedrën nuk ndodhi me kurvin, është një mister që gjithsesi mbetet. Ja kanë kërkuar dorëshkrimin, ua ka dhënë, apo ua pat’ falur, është krejt njëlloj, nuk ndryshon asgjë. Për autorin rëndësi kishte që kurvi të mbështillej me diçka që të mbante erën e vdekjes. Me një qefin që ti dukej si velenxë. Autori ia arriti. Pikërisht atë vit kurvi pësoi një atak në zemër. Të mos e lemë kuçedrën të ngordhë duke ia ndalur hovin e leximit të vërtetë tek i cili mezi arriti. Ta lemë ta vazhdojë leximin. Të vuaj pafundësisht duke mos ngordhur kurrë.

Natyrisht në atë dorëshkrim ka edhe gjëra që kuçedra nuk i kupton dot kurrën e kurrës. Një nga këto gjëra është, për shembull, vuajtja e gjeniut ndaj komplicitetit të shumicës në krime, problem ky, që, ç’është e vërteta, nuk është vetëm shqiptar por mbarënjerëzor. Gjithsesi s’kemi pse të bëhemi fort merak për atë dorëshkrim. Sepse dorëshkrimi i "Dimrit" nuk është si akti i shpalljes së Pavarësisë ku kurvi urdhëroi të fshiheshin emrat dhe firmat. Dhe as si fotografitë mbi të cilat kurvi fshinte apo zëvëndësonte kokat dhe trupat e shokëve të vet të vrarë pas shpine, të varur apo të pushkatuar. Tani këto gjëra nuk janë më të mundura.

Kryesorja sot është se kuçedra, e sëmurur nga Sindrma e Stokholmit, domethënë e rënë kokë e këmbë në dashuri me xhelatin e saj, autorin, nuk ka asnjë gjasë ta asgjësojë dorëshkrimin.

Shënimet e kuçedrës, vërejtjet e kurvit, konsumimi i letrës, pikat e djersës dhe të lotëve së stërmundimit të leximit, së bashku me njollat e gjakut gjatë përplasjeve të kokës së kuçedrës pas murit, vuajtjet e autorit dhe në përgjithësi vuajtjet e shqiptarëve nga mizoritë e kurvit, janë aty, mbi atë dorëshkrim, mbi atë velenxë të shenjtë të pavdekshme plot me dëshmi krimesh të kurvit dhe klyshave të kurvit, të cilën velenxë, autori pati zotësinë t’j’a hedhi krahëve kurvit për ta ftohur përgjithmonë, si qefin, që është praktikisht një "Shroud of Kadare".

"Mapo"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit