Transmetuar më 07-07-2012, 02:40

Balerina e njohur e “Amici” ka paditur ish të dashurin e saj, modelin Oni Pustina se i ka përvetësuar pasurinë. Padi edhe ndaj noterit që falsifikoi dokumentet

Balerina Anbeta Toromani del për herë të parë përpara mediave shqiptare në një konferencë për shtyp, jo për aktivitetin artistik, por siç e cilësoi veten, si një viktimë e sistemit të drejtësisë shqiptare.

Artistja është përfshirë prej tre vitesh në një proces gjyqësor pasi ka paditur ish të dashurin Fatjon Pustina për përvetësim të pasurisë së saj me nje vlerë mbi 112 milion lek.

“Një gjykatës nuk do t’ia dijë për faktin që unë nuk mund të kem qenë në të njëjtën datë në dy vende njëkohësisht. Para një noteri, në bazë të kësaj prokure mua më janë vjedhur të ardhurat e mia, investimet që unë kam bërë këtu në Tiranë dhe jam tjetërsuar në emër të një personi”, shprehet balerina.

Toromani e njohur dhe e vlerësuar prej vitesh në Itali si balerinë kryesore në emisionin “Amici”, e përfshirë nga emocionet, i ka bërë thirrje drejtuesve të shtetit dhe institucioneve të drejtësisë të ndihmojnë në respektimin e të vërtetës.

“I bëj thirrje presidentit të Republikës, kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, prokurorisë, gjykatës, që unë besimin nuk është se e kam humbur por shpresa është shumë e ulët, të më ndihmojnë në këtë çështje”, ka kërkuar Toromani.

Karahas procesit ndaj ish të dashurit, Toromani deklaroi se tashmë ka bërë edhe një kallëzim penal ndaj noterit, që ligjëroi falsifikimin e prokurës, ku autorizohej motra e Toromanit t’i kalonte Pustinës pasurinë e balerinës.

Pustina ishte paditur në gjykatë që në fillim të 2010-ës prej motrës së Anbeta Toromanit, Bujana Toromani, e cila deklaronte se ai i kishte marrë padrejtësisht një shumë prej 45 000 eurosh. Modeli i njohur shqiptar, i bërë i njohur në televizionet italiane u përball me këtë akuzë pas ndarjes me balerinën Toromani. Nuk bëhet fjalë thjesht për një histori dashurie të nisur plot pasion dhe të përfunduar, por për një çështje që shkon përtej “rozës” në një proces gjyqësor.

Motra e balerinës ka qenë për disa kohë menaxhere e dyqanit të veshjeve në pronësi të modelit. Në padinë e depozituar në Gjykatën e Tiranës thuhet se për shkak të disa marrëdhënieve familjare, dy personat kanë pasur një llogari të përbashkët bankare. Më datë 06.11.2009, i padituri Fation Pustina ka tërhequr nga kjo llogari një shumë prej 50850 eurosh. “Është e vërtetë se llogaria bankare ishte në emrin e të dyve, por fakti është se me tërheqjen që ka bërë i paditur, ka tërhequr edhe një shumë që efektivisht ishte e Bujana Toromanit”, – thuhet në padi. Fakti është se po më datë 06.11.2009, në llogarinë në fjalë është derdhur një shumë prej 45 000 eurosh nga motra e paditëses, Eltona Toromani, si kthim borxhi që kjo e fundit i kishte së motrës. Sipas padisë, ky fakt tregohet edhe nga përshkrimi që i është bërë veprimit bankar të derdhjes së shumës prej 45000 eurosh, ku është shënuar pikërisht “kthim borxhi”. Pra shuma prej 50 580 eurosh e tërhequr nga Fation Pustina ka përfshirë pa të drejtë edhe shumën prej 45 000 eurosh, e cila nuk ishte e përbashkët si shumat e tjera në këtë llogari të përbashkët, por ishte specifikuar saktë si një shumë që i përkiste veçmas Bujana Toromanit, për shkak të kthimit të huasë që i kishte bërë e motra. Në këtë kuptim, duke tërhequr shumën prej 50 850 eurosh, Pustina ka fituar pa shkak juridik edhe shumën prej 45 000 eurosh që i përkiste paditëses si pjesë e të ardhurave të saja personale. “Duke marrë të mirëqenë se i padituri nuk ishte në dijeni për prejardhjen e kësaj shume krahasimisht të madhe me gjendjen e mëparshme të llogarisë, në çdo rast shuma prej 45 000 eurosh që ai ka tërhequr e ka begatuar pa shkak duke qenë se ajo shumë parash që është derdhur në atë llogari për efekt të kthimit të borxhit që paditësja duhet të priste nga e motra. Në këto kushte, Bujana Toromani është tërësisht e legjitimuar që të kërkojë kthimin e kësaj shume nga Fation Pustina”, – mbyllej padia.

7 Janar 2012, Gjykata e Tiranës i ka dhënë fund zënkave mes balerinës Anbeta Toromani dhe modelit Fatjon Pustina për ndarjen e pasurisë së krijuar gjatë bashkëjetesës 6-vjeçare mes tyre.

Procesi gjyqësor ka përfunduar në favor të modelit Pustina. Një vendim gjyqësor i shpallur pak para mbylljes së vitit 2011 rrëzoi pretendimet e balerinës Toromani për të shpallur të pavlefshëm kalimin e disa kuotave kapital të saj në një shoqëri në emrin e modelit Pustina. Bëhet fjalë për dy kuota kapitali të shoqërisë “EU 2008″ sh.p.k. nga paditësja Anbeta Toromani te Fatjon Pustina, kuota me vlerë 11 507 813 lekë. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata i vlerësoi si të pambështetura në ligj pretendimet e paditëses Anbeta Toromani. Në padinë e saj depozituar në gjykatë më 4 maj 2010 dhe gjatë gjykimit, Toromani, e njohur për famën e saj në programin “Amichi” në Itali, pretendoi se nëpërmjet veprimeve mashtruese i padituri Oni Pustina ka arritur të kalojë kuotat e saj në emrin e tij. Toromani pretendonte se kalimi i kuotave ishte bërë nga motra e saj, në një kohë që balerina ndodhej jashtë Shqipërisë. Sipas gjykatës, ndarja e pasurisë kishte krijuar edhe “situata jo paqësore e madje edhe konfliktuale mes tyre dhe familjarëve të tyre”.

HISTORIA

Pas 16 seancash gjyqësore, gjykata ka vlerësuar të sakta dhe ligjore pretendimet e paditësit, që në këtë gjykim ishte modeli Fatjon Pustina. Sipas vendimit, kalimi i kuotave të kapitalit ishte bërë nga motra e balerinës, në zbatim të porosisë së saj. Kjo, pasi motra e Anbeta Torromanit, nëpërmjet një prokure të posaçme, të nënshkruar nga balerina, e përfaqësonte atë në veprimet për shitblerjet e kuotave të shoqërisë. “Palët në gjykim, Anbeta Toromani dhe Fatjon Pustina, kanë qenë të lidhur në bashkëjetesë për një periudhë rreth gjashtëvjeçare, ku gjatë kësaj kohe palët kanë realizuar edhe të ardhura të përbashkëta. Edhe kuotat që zotëronte Anbeta Toromani formalisht kanë qenë në emër të saj, pasi ato në fakt kanë qenë pasuri e përbashkët e të dy atyre. Në përfundim të bashkëjetesës, paditësja dhe i padituri kanë rregulluar edhe të ardhurat e përbashkëta, duke përcaktuar të drejta dhe detyrime të ndërsjella në lidhje me to. Pikërisht në kuadër të këtij rregullimi të të ardhurave nga bashkëjetesa, është edhe kalimi në pronësi të të paditurit i dy kuotave të kapitalit të shoqërisë ‘EU 2008′ sh.p.k. nga ana e paditëses Anbeta Toromani. Në cilësinë e përfaqësueses së saj, paditësja e ka ngarkuar edhe në veprime të tjera motrën e saj Bujana, siç ka vepruar edhe në rastin objekt gjykimi”, thuhej në vendimin e gjykatës. Më tej, në vendim arsyetohej se: “E ngarkuara me përfaqësim, Bujana Toromani, motra e paditëses, ka realizuar mandej pikë për pikë, me anë të këtij akti, porosinë e porositëses Anbeta Toromani, nëpërmjet pjesëmarrjes në mbledhjen e asamblesë së aksionerëve të shoqërisë, si dhe përpara noterit J.Zhelegu për kalimin e kuotave të kapitalit nga motra e saj Anbeta tek i padituri Fatjon Pustina”. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se vendimi i gjykatës, që rrezoi padinë e Toromanit, është apeluar prej saj në Gjykatën e Apelit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit