

Tiranë, 23 qershor 2012, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar ndaj tenderit të Llotarisë Kombëtare, duke akuzuar qeverinë se Llotaria Kombëtare është një lojë ku merr pjesë publiku, jo për të pasuruar klientët e pushtetit, por për të marrë mbrapsht përfitimet prej saj, raporton noa.al.
Edi Rama komenton në Twitter se përfitimet nga Llotaria Kombëtare, qeveria duhet t’i investojë në jetësimin e politikave publike për artet, sportet, trashëgiminë kulturore, rininë apo çështjet sociale.
Rama shkruan se “Ne duhet t’i investojmë për rininë e sportet dhe kështu do të bëjmë kur ta qeverisim Shqipërinë për shqiptarët, jo për pushtetarët e klientët”.
Ai komenton deklaratat e ministrit të Financave Ridvan Bode duke nënvizuar se “Ah, z.Bode na kujtoi se nga grabitja e të drejtës publike për hesap të klientëve të pushtetit shteti përfituaka TVSh e tatim fitimi! Qesharak! Jo zoti Bode, e drejta e publikut në Llotarinë Kombëtare nuk vlen sa taksat që do të paguajnë klientët tuaj pas privatizimit kriminal të saj”.
Kryesocialisti Rama komenton se me ardhjen në pushtet të opozitës, pushteti gangrenë do të zhbëhet me votën e shqiptarëve dhe do të ndërtohet shteti në shërbim të qytetarëve duke rilindur Shqipërinë.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





