Transmetuar më 22-06-2012, 08:57

"Se ekziston deti dhe peshku dhe grepi për ta kapur peshkun, por mungon tigani dhe vaji për ta skuqur. Prandaj, të zhytur në nostalgji spiunllëqesh me peshq, grepa, vaj dhe tiganë, ata që atëherë më spiunonin, tani po presin në heshtje vdekjen. Si poetët “Noir”, ata që rrinë gjithë kohën nëpër kafenera apo pijetore, me fytyrë nga muri, duke pritur vdekjen dhe duke u lutur për shpëtimin e shpirtit"…

Nga Edison Ypi

Sa do ju rrëfej, kam pasur rastin dhe fatin ta shoh me sytë e mi në dokumente origjinale të Sigurimit të Shtetit, fotokopjet e të cilave i disponoj dhe së afërmi do t’i publikoj.

Me përjashtim të romaneve të Kadaresë, dosjet e Sigurimit të Shtetit janë gjërat më të bukura që janë shkruar në kohën e kurvit. Ke qejf t’i lexosh. Por s’do mend se më interesantet e atyre dosjeve janë dosjet e atyre që më kanë spiunuar mua.

Ja, shkurt, çfarë thonë dosjet e, së pari, disa prej “miqve” të mi.

I.S. me pseudonimin “Helmi”. Tip i lëvizshëm, merakli qokash; lindjesh, vdekjesh, fejesash, martesash, datëlindjesh,sidomos muhabetesh të rrezikshme ku flitej me simpati për kanconeta italiane, modë, dhe me urrejtje për komunistat, krimet e diktatorit dhe diktaturës. Dosja e “Helmit” provon qartë se I.S. është ai që me spiunllëqet e tij ka dërguar në internime dhe burgje dhjetëra shqiptarë, prej të cilëve shumica ka vdekur, disa janë çmendur, nja katër a pesë që janë gjallë, edhe ata me një këmbë në varr.

A.N. me pseudonimin “Vreri”. Dosja e “Vrerit” është plot me kallxime nga më të ulëtat dhe më të pështirat, kryesisht për mua, fakt ky që provon qartë se “Vrerin” e paskam pasur “Spiun të dedikuar”, ose, ai i thoshin në atë kohë “Pullë poste”. Meqenëse punonte te Kombinati i Mishit, Sigurimi, për t’ia lehtësuar spiunimin “Vrerit”, kishte porositur rojat të mbyllnin një sy kur nxirrte jashtë kombinatit bërxolla të vjedhura, të cilat bërxolla “Vreri” i përdorte si karrem për të joshur viktimat. “Vreri” më ofroi kaq herë edhe mua për të ngrënë nga ato bërxolla. Edhe mund të kisha ngrënë nga ato bërxolla, por unë kurrë nuk pranova, sepse ato bërxolla “Vreri” i nxirrte nga Kombinati të fshehura brenda brekëve. Dosja e “Vrerit”, mes tjerash, përmban edhe një fakt të rrallë tragjiko-erotik. Ma ka thënë me gojën e vet, se jo rrallë, nga kontakti i mishit të butë të bërxollave të vjedhura dhe të përgjakura brenda brekëve me gjenitalet, ejakulohej.

V.K.-t, për shkak të një dobësie të lindur për Francën ku studioi ca kohë ca gjëra që ende sot askush nuk e di se çfarë, si dhe të një ngjashmërie në pamjen e jashtme me francezin e filmave, ia vunë pseudonimin “Alen Delon”. V.K. kur u kthye nga Franca, ca kohë tymosi me llullë. Më vonë përdori ca shalle të modës pariziene të asaj kohe. Kishin qenë të gjitha mjete për të futur në kurth sa më tepër viktima. Sa i përket “Alen Delonit”, bie në sy që, pasi mua ma morën vëllanë në burg, edhepse gjatë gjithë atyre viteve s’më foli me gojë, gjeti rrugë të tjera për të më spiunuar.

Sh.K., ose “Mishi”, si tironc i vjetër, nuk rezulton të ketë qenë fort’ i besuar. Por spiunllëqet për shumë nga të njohurit e tij, dhe natyrisht mua, i ka bërë, madje me zell të madh.

Këta të katër, bashkë me plot të tjerë që më kanë njohur dhe më kanë spiunuar, do të donin të më spiunonin edhe tani, por s’kanë se ku. Se ekziston deti dhe peshku dhe grepi për ta kapur peshkun, por mungon tigani dhe vaji për ta skuqur. Prandaj, të zhytur në nostalgji spiunllëqesh me peshq, grepa, vaj dhe tiganë, ata që atëherë më spiunonin, tani po presin në heshtje vdekjen. Si poetët “Noir”, ata që rrinë gjithë kohën nëpër kafenera apo pijetore, me fytyrë nga muri, duke pritur vdekjen dhe duke u lutur për shpëtimin e shpirtit.

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: Si ndodhi që i rrethuar me të tillë “miq” nuk përfundova në burg?! Përgjigjja është e thjeshtë. Asnjërit prej “miqve” të diktaturës nuk u bëra të ditur diçka që, edhe po t’ua thosha, nuk do ta kuptonin. Se miqësinë me ta nuk e kisha të pakufizuar, por të dozuar, të kontrolluar. Sepse e kam pasur gjithmonë të qartë se miqësitë në diktaturë, si produkt i një urrejtjeje, janë miqësi nga zori, rrjedhimisht të pasigurta. Të sigurta dhe jetëgjata, janë vetëm miqësitë në Liri.

Po se mos ishin vetëm këta të katër spiuna.

Për kuriozitet të lexuesit, ja, gjithmonë bazuar në dokumente që i kam parë me sytë e mi, disa spiuna të cilët as i kam njohur as më kanë njohur:

A.L. me pseudonimin “Qelbësi”. Zelli i papërmbajtur i “Qelbësit” për të spiunuar, detajet e hollësishme të kallximeve, tejpamësia dhe besnikëria ideologjike proletare e këtij spiuni, e shprehur në mënyrë të përsëritur, dhe një farë rigoroziteti gramatikor i tekstit të kallximeve, kanë qenë tiparet bazë të “Qelbësit” që ka bërë qindra spiunllëqe. Edhe kot. Për qejf të spiunllëkut, për fatkeqë që nuk i ka njohur aspak.

A.S. ka pasur pseudonimin “Zifti”. Rekrutimi i “Ziftit” është bërë qysh herët nga oficerë të specializuar në Rusi, në Akademinë “Xherxhinski”, për njohjen dhe zbatimin me rreptësinë më të madhe të parimeve pedagogjike të Makarenkos për futjen e sa më tepër rrugaçëve llafazanë në pika kyçe të pushtetit dhe politikës së shtetit të halabakëve. Në dosjen voluminoze të spiunit “Ziftit” ka cilësime rrëqethëse si: “rrëshqet si ngjalë Lalëzi”, “depërton si urith Dumreje”, “Spiun i talentuar me të ardhme premtuese si ideolog populist” etj., cilësi këto të cilave, si Sigurimi dhe vetë “Zifti”, u dhanë vlerën e duhur kur u ndërrua sistemi, për ta bërë aktivitetin e “Ziftit”, në rrethanat e reja, faktor mediatik me efikasitet të lartë, edhepse jo cilësor.

“Turtulli” është pseudonimi i A.Ç. Ia vuri operativi i katundit, i cili spiunit të ardhshëm i tha një ditë: Je i lindur për lake dhe për spiun, mor qerrata. I ke të gjitha cilësitë. Mënyra jote e të llafosurit, duke folur pa pushim sikur ke ngrënë bythë turtulli dhe duke e shpërvjelur muhabetin me ca si terma të improvizuara, është më e mira për zanatin e ndritur në të ardhmen e nxirë që të pret. Ruaje dhe përsose atë stil të foluri dhe të shkruari me Shqipe të shprishur, se na duhesh për kohë të vështira, çka koha e vërtetoi.

Pseudonimin “Xerxeleja” e ka pasur R.D. Këtë pseudonim atij ia vuri një operativ, që i ra në sy tek shkonte e vinte në shkollën e mesme me furgon. Operativi në fjalë vuri re që spiunit të ardhshëm nuk i rrinte kurrë bytha rehat, lëvizte vazhdimisht, ndërronte furgon, ndërronte vend brenda në furgon, hidhte sytë e zgjaste veshët sa andej këndej pa u ndalur për asnjë çast. U mahnit operativi pas këtyre cilësive që, sipas tij, përbënin një spiun të talentuar. Në këto rrethana, pa e pyetur, operativi i hapi R.R.-t një dosje të bardhë, që u nxi më vonë.

Lidhur me moshën e vogël të disa spiunave dosjet flasin qartë. Nuhatja dhe vizioni, si i Partisë dhe i Sigurimit, të bënin spiun me dosje jo 17 e 10 vjeç, por, në vartësi të prejardhjes klasore të prindërve, edhe para se të lindje, jo rrallë, edhe pasi të vdisje. Përveç të gjallëve që spiunonin të gjallët, ka plot dosje me shembuj me të gjallë që spiunojnë të vdekurit, të vdekur që spiunojnë të gjallët, dhe të vdekur që spiunojnë të vdekurit. Si do mund të zbuloheshin gjithato grupe armiqësore pa këto kombinime?!

Vënia e pseudonimit, si hap i parë në botën e pafundme të spiunllëkut, ishte një procedurë sa delikate edhe e zararshme, së cilës i jepej rëndësia që meritonte. Pseudonimi duhej zgjedhur i tillë që të pëlqehej nga të dy, edhe i rekrutuari edhe rekrutuesi. Një pseudonim i pa përshtatshëm konsiderohej pak a shumë si këpucët e ngushta që t’i bëjnë me flluska këmbët. Çka, me kalimin e kohës, mund të shkaktonte, siç kishte shkaktuar jo pak herë, deri edhe traumë psikike, si për njërin dhe për tjetrin. Sepse s’kish si ndihej rehat një rekrutues, ta zëmë me emrin Uk, me një spiun me pseudonimin “Qengj”. Ose në marrëdhënien spiun-spiun, do të ishte fatale që një spiun me pseudonimin “Mjalti” të bashkëpunonte qetësisht me një tjetër spiun të mbiquajtur “Ariu”.

Zakonisht spiunët nga Jugu preferonin emra malesh, lumenjsh ose përrenjsh nga Veriu, dhe e anasjella për spiunat nga Veriu. Ende nuk e kam kuptuar pse spiunët që më kanë spiunuar mua, duke pasur përgjithësisht emra lëngjesh, “Helmi”, “Vreri”, “Acidi”, “Tutkalli” etj. bënin përjashtim nga ky rregull.

Pseudonimin më të gjatë dhe më të çuditshëm, ndoshta në krejt botën komuniste të Lindjes, e ka pasur A.K. Pseudonimi i A.K. ka qenë “Prisencolinensinainciusol”. Këtë fjalë të çuditshme, titull i një kënge të Çelentanos që i pëlqente pa masë, A.K.-ës ia vunë si pseudonim kur pas një ditë të lodhshme stërvitjeje në zbor dhe ngrënies në mbrëmje të një tasi me groshe si dhe pirjes së dy litrave ujë, fjalën e çuditshme “Prisencolinensinainciusol” e shqiptoi gjatë gjumit në kapanon, aty pak pas mesnate, kur po shihte një ëndërr të bukur sikur po konduktonte Festivalin e Sanremos, atë kur vrau veten Luixhi Tenko. Ajo fjalë e vetme i mjaftoi “Shokut” të zborit që po flinte në krah të tij, për ta kallxuar fill e tek operativi i repartit të zborit. 3 karrige për vetëm 1 të ftuar, dhe 1 skrivani bosh pa asnjë send sipër, që përbënë skenografinë e programit të fundit të A.K., ku A.K. miksoi spektaklin me politikën, janë pasojat e drejtpërdrejta të çrregullimit permanent që ka shkaktuar në trurin e A.K. ai pseudonim aq i gjatë e aq i çuditshëm.

M.N. ka qenë edhe ai një spiun me damkë. Në dosjen e M.N. ka hollësi lidhur me rekrutimin. Kur ishte i internuar në Lushnjë i futën një mjek spiun, i cili i bëri të ditur se kishte një sëmundje të rëndë, e cila bën që hormonin e qejfit, Endorfinën, për të cilin ka aq nevojë njeriu, trupi dhe truri i M.N. e prodhon vetëm në një mënyrë, me anë të kruajtjes së lëkurës. Kjo e trembi pa masë M.N.-n. Për më tepër që mjeku spiun i bëri gjithashtu të qartë se sëmundjes në fjalë dermani mund t’i gjendej vetëm “jashtë shtetit”. Ku, gjithmonë sipas mjekut spiun, M.N.-n mund ta dërgonin për kurim vetëm nëse plotësonte një kusht, të bëhej spiun. M.N. pranoi. Por për çudi pseudonimin nuk ia vunë as “Zgjebja” apo “Kruajtja”, ose të paktën “Lëkura”, a makar “Endorfina”, por “Festja”.

Spiun me dosje me pseudonimin “Tenori” ka qenë gjithashtu edhe L.V. Por, megjithëse i ka pasur të gjithë farefisin në Sigurim, mbetet mister se si nuk ka qenë spiun miku i tij i betejave mediatike, S.M.

Dosjet e Sigurimit, ato që provojnë se spiunllëku në Shqipërinë e kurvit ishte i vetmi mall që s’mungonte kurrë, flasin edhe për F.L. me pseudonimin “Tezga”. F.L u rekrutua të nesërmen e një nate kur me disa shokë nomenklaturistë po dëgjonin muzikë borgjeze me një radio dore që e kishin sintonizuar te “Radio Montekarlo”. Qëlloi që andejpari kaloi një polic, i cili, pasi u mori nomenklaturistave radion, u tha të vinin në rajonin e policisë. I vetmi, i cili për të mos vajtur në rajon, i tha policit se i biri i kujt ishte, qe F.L., të cilin polici, nga frika, e ndau nga grupi dhe nuk e mori me vete. F.L. pranoi që miqtë e tij të iknin në polici, ndërsa ai në shtëpi. Të nesërmen F.L. e thirri një operativ i Sigurimit. Operativi i tha se do të burgosim e riburgosim. Por nuk duhet të bënte gëk. Sepse më vonë, pas shumë vitesh, do ishte Sigurimi që me metodat e veta do t’ia mundësonte  t’i shesë mbi tezgë, si burgosjet dhe riburgosjet. Operativi e mbaroi ligjëratën me fjalët: Dëgjo o F.L., të të them një profeci. Do lësh pas një të kaluar të dhimbshme, por do gëzosh para një të ardhme të ndritur, tezgash.

Ka plot dosje edhe për femra spiune. Në dosjet e tyre, të gjitha femrat spiune kanë shkruar me dorën e tyre se bashkë me të bërit spiune, për të mirën e partisë dhe të atdheut, mund të bëheshin pa problem edhe kurva. I çuditshëm ky pohim. Sepse kurvat spiune mes kurvave i kishin zgjedhur.

Sa më sipër s’ka asgjë të vërtetë. Të gjitha i sajova, i shpifa.

Në vendin ku gënjeshtra besohet më tepër dhe më lehtë se e vërteta, ku pëshpërima udhëton më shpejt se lajmi, ku prej shpifjeve me dosje të imagjinuara janë marrë më qafë individë të ndershëm, janë shkatërruar familje serioze, janë këputur karriera premtuese, ku janë të rrallë ata që nuk kanë spiunuar, edhe më të rrallë ata që nuk janë spiunuar, ku është zero numri i atyre që as kanë spiunuar dhe as janë spiunuar, ndërkohë që mua vetëm më kanë spiunuar, pse të mos shpif edhe unë, pak?

"Mapo"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit