

Tiranë, 8 qershor 2012, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi dorëzoi sot flakën për Lojërat Paraolimpike Shqiptare, në ceremoninë e çeljes së tyre për atletët me aftësi të kufizuara.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Topi tha se pesë vite nuk janë pak për ta konsideruar fillimin e një tradite, ku shprehu bindjen se kjo traditë do të vazhdojë gjatë.
“Unë dëshiroj t’ju falënderoj juve, të dashur atletë paraolimpikë shqiptarë, sepse ju më shumë se kushdo tjetër, keni kuptuar që jeta ka dimensione të gjera, edhe kur njeriu ndodhet në vështirësi, për gjëra që ai nuk i ka vetë në dorë. Ai duhet të ketë të qartë që, dhe këtë e kemi parë tek ju padyshim, që duhet ta kompensojë me aktivitet fizik, me aktivitet mendor, me aktivitet shoqëror, dhe kjo është arsyeja që ju sot jeni në qendër të vëmendjes për t’i dhënë leksion jo vetëm atyre që kanë nevojë të dalin nga vështirësia, por për t’i dhënë një leksion të bukur mbarë shoqërisë, që askush nuk ka nevojë që të izolohet, që të ndihet në vështirësi, sepse jeta ofron shumë mundësi. Dhe kjo shikohet si filozofi, por edhe e realizuar tek ju sot”, u shpreh Topi raporton noa.al.
Në vijim Presidenti falenderoi të gjithë mësuesit, të gjithë edukatorët, të cilët janë bërë pjesë e kësaj lëvizjeje ndërsa tha se ata do të vazhdojnë ta përballojnë jetën me shumë dinamizëm, me shumë guxim, me shumë optimizëm.
Pas fjalës së mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit, Bamir Topi i dorëzoi paraçiklistit të njohur Haki Doku, pishtarin me Flakën Olimpike, i cili, pasi iu drejtua daljes nga Institucioni i Presidentit të Republikës, nisi xhiron simbolike në bulevardin e rrugët kryesore të Tiranës, ku Flaka do mbërriti në mjediset e Universitetit të Sporteve, po në Tiranë, dhe ku do të qëndrojë e ndezur për të shoqëruar zhvillimin për herë të parë të Lojrave Paraolimpike në Shqipëri, prej datës 8 deri në 10 qershor 2012.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





