



Intervistë me Koço Kokëdhimën, themelues i gazetës "Shekulli": Pse mora pjesë në pritjen e kryeministrit. Marrëdhëniet aktuale me Berishën, Ramën, Metën, Arvizun. Pse u bëra kryeredaktor i “Shekullit” dhe pse u detyruam të rrisim çmimin e gazetës
Intervistoi: Adrian Thano
“Nëse ndokush ka menduar se unë mund të prishem me Ramën që të miqësohem me Berishën, kjo është idiotësia e atij që mendon në këtë formë.” Pjesëmarrja në pritjen e Berishës. Marrëdhëniet aktuale me Ramën dhe Metën; pse i lindën pakënaqësitë me Ramën dhe çfarë mendon për atë që e quan “opozitë të brishtë”, por që do fitojë zgjedhjet e ardhshme në koalicion me Metën, nëse zgjedhjet bëhen. Këto dhe të tjera në përgjigjet e Kokëdhimës, tashmë kryeredaktor i “Shekullit”.
“Shekulli” kreu një vit më parë një ndryshim thuajse radikal në formë dhe përmbajtje. Ndryshoi tërësisht dizajni i gazetës dhe mënyra e ndarjes së hapësirës së saj duke limituar veçanërisht pjesën dedikuar politikës. Cilat ishin arsyet e marrjes së një vendimi të tillë dhe si ju rezulton reagimi i lexuesve ndaj këtij ndryshimi?
Një vit më parë ne ndërmorëm projektin për ta rinovuar gazetën në dizajn dhe në përmbajtje. Është e qartë që lexuesit ndryshojnë në nevoja e kërkesa, në tendencat kulturore si dhe në shije. Produktet patjetër që duhet të evoluojnë bashkë me lexuesin. “Shekulli” i ri është pa dyshim një dizajn mjaft i bukur, profesional dhe i freskët ashtu sikurse është në përmbajtje ku tërësia e rubrikave dhe mënyra e editimit dhe e organizimit kanë një domethënie të re dhe përbëjnë një ndryshim të madh në raport me të kaluarën. Mund të përmendim shumë aspekte të këtij ndryshimi pa qenë nevoja t’i rendis të gjitha. Dua të them se në qendër të “Shekullit” sot është qytetari dhe lexuesi me nevojat e tij. Duhet të pranojmë se në një kuptim të caktuar, një mori ndryshimesh ishin dhe janë vonuar. Kështu, për shembull, është e papërligjur që shtypi vazhdon t’iu japë një vend krejtësisht të pamerituar deklaratave të shtypit në përgjithësi dhe deklaratave të politikanëve në veçanti, aq sa e identifikon veten me një shtyp deklaratash. Kjo histori ka përfunduar te “Shekulli” i tanishëm. Ai është shumë pranë qytetarit të thjeshtë dhe shumë pranë nevojave jetësore të njerëzve. Ka mbaruar koha kur një politikan shqiptar i çdo rangu, bënte një pordhë dhe gazetarët vraponin ta kapnin dhe ta raportonin!
Kjo do të thotë se politikat editoriale të “Shekullit” kanë ndryshuar?
Nuk është problemi te politika editoriale. Në fazën e parë ne prisnim disa ndryshime në strukturën e lexuesve. “Shekulli” ka lexues besnikë në të gjitha grupmoshat, si në moshat e reja ashtu dhe në brezin e vjetër. Kam rastin sot tju shpreh mirënjohjen tonë të thellë gjithë lexuesve dhe blerësve të “Shekullit”. Tani komuniteti i lexuesve tanë është rinuar. Por edhe forma dhe përmbajtja e re e “Shekullit” sjell ndryshime edhe tek lexuesi.
Cili është vlerësimi juaj për situatën e shtypit dhe medias në vend? Si e shihni të ardhmen?
Shtypi është vlerë e një shoqërie të emancipuar. Ai objektivisht e ka jetën të vështirë në shoqëri të varfra, të paedukuara dhe të paemancipuara. Në mënyrë të posaçme, shtypi në Shqipëri e ka jetën shumë të vështirë edhe për faktin se është dëmtuar shumë qoftë nga strategjia e goditjes së tij nga qeveritë, qoftë edhe nga lënia e tij në shpërfillje. Qeveritë janë kujdesur në mënyrë të posaçme që të eliminojnë çdo formë të kontrollit të qytetarëve dhe mënyra më e rëndësishme e kontrollit të publikut mbi qeverisjen është përmes shtypit. Qeveria sistematikisht e ka sulmuar dhe e ka denigruar shtypin. Veçanërisht, qeveria e Berishës ka bërë kujdes të posaçëm për të shkatërruar ekonomikisht shtypin opozitar.
Pak muaj më parë ju botuat një letër ku rendisnit dhjetëra biznese tuajat në vështirësi të mëdha ose të mbyllura nga sulmet e qeverisë për shkak të qëndrimeve politike të medieve tuaja. A morët ndonjë përgjigje dhe a është përmirësuar apo përkeqësuar kjo situatë e bizneseve?
Publikimi i një letre nuk ka asnjë ndikim mbi qeverinë pasi qeveria është e vetëdijshme në rrugën e saj për të shkatërruar shtypin kritik dhe të pavarur. Unë nuk jam qarë dhe as nuk jam ankuar për të gjithë luftën krejtësisht primitive dhe të paligjshme që ka zhvilluar qeveria përmes militantëve të saj në institucionet e shtetit mbi interesat tona. Kam qenë dhe mbetem një person me liri fizike të pacenuar, por liritë e mia kushtetuese, ekonomike dhe të sipërmarrjes, qeveria e tanishme i ka “burgosur” në mënyrat më të ndyra që mund të ekzistojnë e mund të ndërtohen nga një administratë e verbër dhe abuzive. Zoti Berisha nuk e bëri dot lustracionin në drejtësi, por e zbatoi atë në ekonomi dhe në media. Qeveria është përpjekur gjithashtu të paralizojë e dekurajojë çdo iniciativë mbështetëse për shtypin e pavarur dhe kritik me të, çdo aftësi investuese mbi këtë lloj shtypi që është kaq i nevojshëm për vendin dhe shoqërinë tonë. Unë nuk pres asnjë përmirësim të situatës në terma afatshkurtra pasi këto janë çështje të nivelit të kulturës dhe organizimit të të gjithë shoqërisë, janë çështje të nivelit të lirisë si dhe të përgjegjësisë së ushtrimit të pushtetit. Investimi për një shtyp të shëndetshëm, profesional, me standarde e të pavarur është një përgjegjësi e të gjithë shoqërisë dhe shtetit. E ardhmja e shtypit do të jetë ashtu si e ardhmja e vetë shqiptarëve, si e ardhmja e demokracisë dhe e republikës. Nëse qytetarët aspirojnë të bëjnë ekonomi të mirë dhe një shoqëri të drejtë, duhet të punojnë për të bërë një shtyp të shëndetshëm, profesional dhe me standarde.
Në fillim të këtij viti, bëri shumë përshtypje në Tiranë prezenca juaj në një takim të thirrur nga ai që njihet si një prej personave më atakues të Gazetës “Shekulli”, kryeministri Berisha. Berisha ka refuzuar mëse një herë të ketë marrëdhënie normale me këtë redaksi. Gjithsesi, ju ishit atje, iu përgjigjet ndoshta një ftese, por duke ngjallur habi dhe pikëpyetje me këtë prezencë. Cilat janë marrëdhëniet tuaja aktuale me qeverinë dhe kryeministrin e vendit?
Sali Berisha nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë armiku im personal, nuk i kam dashur dhe as nuk do t’i dua ndonjëherë të keqen. Sido të veprojë ai apo ndonjë pushtetar tjetër, ata nuk do të bëhen kurrë qëllimi i jetës sime. Iu jam përgjigjur pozitivisht të gjithë kryeministrave dhe funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar gjatë gjithë kohës. Sa herë që të më ftojë kryeministri i Shqipërisë, kushdo qoftë ai, do t’i përgjigjem pozitivisht ftesave të tij, përveçse në pamundësinë time. Kjo nuk duhet lexuar në ndonjë mënyrë të posaçme, thjesht kështu është kultura ime. Nuk është vajtja ime në pritjen e fundvitit që kryeministri dha me drejtuesit e shtypit ajo që i ka bërë shumë përshtypje gazetarëve dhe redaksive të mediave në Shqipëri, por ka qenë një lloj dyshimi mbi marrëdhëniet e mia me Ramën ajo që ka ushqyer këtë lloj intrige.
Meqënëse përmendet Edi Ramën, ju jeni shprehur dikur publikisht se marrëdhëniet tuaja me kryetarin e PS-së janë “vëllazërore”. A keni një portretizim të sotëm për të? Cilat janë marrëdhëniet tuaja aktuale dhe çfarë mendoni për të dhe opozitën qe ai drejton?
Janë shumë çështje në këtë pyetje. Së pari, ju kujtoj se atë deklaratë që bëra në korrik të vitit 2009, e bëra publikisht jo për ta ndarë me qytetarët marrëdhënien time private me Ramën, por për t’i përcjell Ramës dhe opozitës së shokuar nga zgjedhjet e atilla të vitit 2009, solidaritetin tim të palëkundur në ato momente të vështira, kur humbjen e zgjedhjeve të ndotura, nga brenda e jashtë opozitës, po përpiqeshin ta shfrytëzonin për ta shpartalluar dhe vënë nën kontroll opozitën si të tillë. Ka dy pamje marrëdhënia ime me Ramën. Njëra është marrëdhënia ime miqësore e private me të e cila, ka qenë dhe mbetet një marrëdhënie shumë e afërt gjatë gjithë kohës. Nëse ndokush ka menduar se unë mund të prishem me Ramën që të miqësohem me Berishën, kjo është idiotësia e atij që mendon në këtë formë. Një gjë tjetër janë përjetimet e mia si qytetar, si mik, si këshillues apo si njeri me interesa për qëndrimet, vendimet dhe zgjidhjet politike që ai bën. Nëse marrëdhëniet e mia private me të kanë qenë dhe mbeten gjatë gjithë kohës si marrëdhënie të një miqësie të çmuar e të pacënuar, vlerësimet e mia për politikat e tij nuk janë gjithmonë të mira. Pra unë ndaj me të pikëpamje të ndryshme shumë herë, madje edhe qëndrime diametralisht të kundërta. Kam pasur komente krejtësisht të palumtura për zgjidhjet që ai ka bërë në dy momente të cilat i përmend edhe Rama vetë në librin e tij. Së pari për çështjen e koalicionit me LSI-në në vitin 2009. Unë isha një kërkues i vendosur dhe i zjarrtë deri në pamundësinë time që ata të realizonin koalicion me LSI-në sepse LSI-ja ishte një pjesë e pandarë e popullit të majtë dhe asnjë justifikim nuk mund të mohonte drejtësinë dhe nevojën e këtij koalicioni paraelektoral. Po kështu, me Edin kam ndarë një opinion diametralisht të kundërt për faktin që ai u përfshi në betejën e Tiranës për kryetar bashkie. Ajo nuk ishte sfida e tij. Përfshirja e Ramës në ato zgjedhje ishte një gjë krejtësisht e pakuptimtë. Ai ishte udhëheqës i opozitës dhe kishte sfida të tjera, ndërsa qytetarët kishin nevojë për një kryetar bashkie që do të ofronte një qeverisje të mirë për kryeqytetin dhe që e kishte ëndërr jete të bëhej kryebashkiak. Ja pra, këto ishin pakënaqësitë e mia me Ramën.
Por si i vlerëson Rama sot kritikat tuaja të së kaluarës?
Rama dhe PS kanë arsyet dhe gjykimet e tyre krejtësisht të drejta e të përligjura.
Çfarë mendoni për përbërjen e opozitës së sotme dhe mënyrën e politikbërjes?
Opozita sot nuk e ka aspak të lehtë sepse qeveria e Berishës kontrollon gjithçka dhe nuk ofron garë të ndershme politike. Opozita është e brishtë dhe me një infrastrukturë të shkatërruar të opozitarizmit në Shqipëri.
Pra opozita po bën përpjekjet e saj për t’ia dalë kësaj situate? Por a janë të mjaftueshme këto përpjekje duke marrë parasysh kapacitetet që ka?
Sigurisht që problematika që opozita ka për të zgjidhur, është një problematikë komplekse. Tani gati nuk besohet më rotacioni i pushtetit përmes zgjedhjeve. Cilësia e institucioneve, cilësia e shërbimeve publike, cilësia e qeverisjes dhe politikave janë mjerisht katastrofike dhe ushqejnë në çdo moment korrupsionin, varfërinë, shkatërrimin e ekonomisë dhe interesave të qytetarit shqiptar. Mund të përmirësohet roli i opozitës, por duhet të ndërgjegjësojmë të gjithë shoqërinë për të ndryshuar situatën dhe cilësinë e qeverisjes së vendit. Pushteti duhet përdorur për vepra dhe qëllime të mira. Ndërsa sot ai përdoret për qëllime të mbrapshta e punë të këqija. Për këto qëllime në shumë raste, fatkeqësisht përdoret edhe nga pushteti vendor. Prandaj gjendja e shoqërisë është e pashpresë.
Më shumë se një vit më parë, konkretisht në prill 2011, Ambasada Amerikane njoftoi shkëputjen e marrëdhënieve institucionale me Gazetën “Shekulli”. Shkak për këtë u bë publikimi i shkrimit të një bashkëpunëtori të “Shekullit”, i cili sipas Ambasadës Amerikane, përmbante fyerje raciste për ambasadorin Arvizu. Sot, pas 14 muajsh, cilat janë marrëdhëniet me Ambasadën Amerikane?
”Shekulli” nuk është as shtet, as qeveri por një organizatë private lajmesh dhe ka respekt për institucionet dhe përfaqësuesit e tyre, ashtu siç ka një respekt të veçantë për ambasadorin Arvizu. Personalisht nuk kam ndonjë sensibilitet negativ ndaj tij, përkundrazi, më pëlqen dhe e simpatizoj sjelljen dhe mënyrën e tij të të trajtuarit të çështjeve. Ai është një person shumë aktiv dhe mban kontakte të rregullta me qytetarët dhe problematikat sociale të vendit, por pres që ai të luajë një rol më të madh në favor të opozitës shqiptare. Sa i përket “Shekullit”, editorët tanë mund të tregoheshin më të kujdesshëm në rastin e z.Arvizu sepse neve nuk na vijnë problemet nga ambasadorët por nga vetja. Ekzagjerimet si rregull, nuk prodhojnë ndonjë gjë për të qenë.
Kanë qenë të kuptueshme deri diku arsyet pse mediat apo persona mediatikë pranë qeverisë të jenë bërë shpesh krah i zellshëm i sulmeve ndaj “Shekullit”, por kohët e fundit, edhe gazeta apo media pranë opozitës komentojnë në vijimësi në mënyrë kritike qëndrimet tuaja apo ndryshimet në përbërjen e stafit të gazetës. Si do t’i përgjigjeshit?
Shumica e konkurrentëve dhe të pushuarve nga puna përgjithësisht, do flasin mirë për mua kur unë të mos jem më.
Ditën e djeshme, përmes një redaksionaleje të “Shekullit”, bëhej e ditur rritja e çmimit nga 20 në 30 lekë. Cilat janë arsyet e ndryshimit të çmimit?
“Shekulli” është një gazetë që jeton me të ardhurat e veta. Ai nuk dëshiron absolutisht të zgjedhë rrugë të tjera për mbijetesë. “Shekulli” nuk do t’i bëjë lajka asnjë lloj qeverie dhe nuk do të abuzojë në raport me të vërtetën, por do t’i qëndrojë besnik interesit të qytetarëve. Është bërë e pamundur që “Shekulli” të vazhdojë të paguajë faturat e jetës nëse nuk grumbullon më shumë të ardhura. Kjo është e vetmja arsye pse ne po rrisim çmimin. Sigurisht që çmimi 30 lekë është shumë i përgjegjshëm dhe plotësisht i justifikuar me punën që bëhet. Çmimi mund të ishte ndryshuar vazhdimisht ndër vite, por kjo nuk është bërë se lexuesit tanë kanë vështirësi dhe nevoja të mëdha. Tashmë ka ardhur momenti që burimet e tjera nuk funksionojnë. Gazeta “Shekulli” pothuajse nuk ka të ardhura nga reklamat. Në këto rrethana, “Shekulli” është i detyruar të operojë me një çmim tjetër në treg.
Z. Kokëdhima, që kur “Shekulli” doli në treg 15 vite të shkuara, si model biznesi, ju keni zgjedhur emërimin e kryeredaktorëve, administratorëve dhe bordeve, duke qëndruar vetë në pozicionin e botuesit dhe investitorit. Lexuesit shohin sot emrin tuaj si kryeredaktor të gazetës. Pse kjo zgjedhje? Cilat janë arsyet?
Në stilin tim të jetës gjithmonë zgjedh të luaj në vijë të parë në një nga projektet e mia. Zgjedhja për të punuar në krye të “Shekullit” në këtë periudhë është e lidhur me nevojën për të garantuar më mirë zbatimin e projektit zhvillues dhe modernizues që ne kemi bërë së fundi, pasi ky është një investim i rëndësishëm dhe pritshmëritë për sukses i kemi të mëdha. Viti në vazhdim është një vit elektoral ku presioni mbi shtypin e pavarur është i pritshëm të rritet ndjeshëm. Vendosja ime në krye të “Shekullit” është bërë me qëllim për të garantuar qëndrueshmërinë e lartë ndaj vlerave të opozitarizmit të shtypit të pavarur e të përgjegjshëm në Shqipëri. Unë nuk mund t’ju mësoj gazetarëve teknikat e raportimit, por mund të motivoj ndershmërinë dhe standartet e larta të raportimeve, larg përdorjes së shtypit për përfitime korruptive e klienteliste, për të vënë gjoba a për të bërë maskën në dëm të drejtësisë dhe të së vërtetës. Ne duam të nxisim konkurrencën e brendshme për të pasur më shumë gazetarë puntorë, të mençur e kërkues dhe jo parazitë që grisen kafeneve të Bllokut e merren me thashetheme për orë të tëra dhe rrinë e vrasin mendjen si t’i bëjnë ndonjë gungë, kujt.
Meqenëse jemi te viti 2013, cili është këndvështrimi juaj: a ka ndonjë garanci për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe si e parashikoni finalen?
Nëse do të bëhen zgjedhje, populli do të votojë për ndryshimin e pushtetit. Nëse nuk bëhen zgjedhje, nuk ka nevojë të bëhen parashikime. Zgjedhjet e ndershme, të lira e të barabarta do të sjellin ndryshimin e pushtetit. Populli që vuan një krizë të thellë varfërie e keqqeverisjeje nuk do votojë vazhdimësinë e këtij pushteti. Opozita e majtë besoj se në zgjedhjet e ardhshme do të jetë e bashkuar edhe me LSI-në duke u bërë kështu një koalicion fitues.
Pra ju mendoni se opozita e cila udhëhiqet nga Partia Socialiste do të krijojë një koalicion parazgjedhor me LSI-në?
Unë besoj se ata do të krijojnë një koalicion parazgjedhor sepse interesat e qytetarëve i tejkalojnë mosmarrëveshjet e drejtuesve. Drejtuesit e këtyre partive politike nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveçse të bashkëpunojnë përpara zgjedhjeve dhe të çojnë vendin në rotacionin paqësor të pushtetit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





