Transmetuar më 10-05-2012, 16:36

Tiranë, 10 maj 2012, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli priti sot në takim kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë Tsetska Tsacheva.

Në fjalën e saj gjatë takimit mysafirja bullgare i tha Topallit se ashtu si dy vendet janë së bashku në NATO, duhet të jenë bashkë edhe në Bashkimin Europian, duke shprehur besimin tek e ardhmja europiane e Shqipërisë.

Tsacheva shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë në një kohë kur vendi ka shënuar progres me reformat e integrimit ndërsa tha se falë këtyre arritjeve Shqipëria duhet të meritojë statusin kandidat.

Me këtë rast, ajo shprehu mbështetjen e të gjitha institucioneve të larta të Bullgarisë në çdo etapë që Shqipëria do të kalojë në funksion të integrimit europian duke ofruar edhe eksperiencën e tyre mbi këtë proces.

Siç raporton noa.al, nga ana e saj Topalli vuri theksin në përkushtimin dhe përpjekjet e Shqipërisë për të finalizuar të gjitha rekomandimet duke bërë të ditur se në funksion të këtij procesi po punohet intensivisht dhe janë kaluar një sërë ligjesh e kodesh që kërkojnë 3/5 e votave, dhe po punohet për finalizimin e dy reformave të rëndësishme Zgjedhore dhe Parlamentare.

Kryetarja Jozefina Topalli dhe Kryetarja Tsacheva shprehën angazhimin e përbashkët për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, përmes grupeve të miqësisë, delegacioneve të komisioneve parlamentare, por edhe shkëmbimit të vizitave në të gjitha nivelet.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit