



Tiranë, 10 maj 2012, NOA – Nga sot qytetarët mund të ankimojnë online çdo vendim të gjyqësorit.
Në Ditën e Drejtësisë, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe ambasadori britanik Nicholas Cannon përuruan këtë sistem që quhet “Ankimim online”, që do të sjellë monitorimin nga publiku të vendimeve të drejtësisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Gjatë ceremonisë u përuruan ankimimi online dhe administrimi dixhital i ankimimit në Ministrinë e Drejtësisë si dhe ankimimi online në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
VIDEO: Dita e Drejtësisë, Halimi përuron logon e re të MD
“Sot, unë kam kënaqësinë që në ditën e drejtësisë, të inauguroj sistemin e ankesave online të qytetarëve ndaj gjyqësorit. Ky portal, me një rendësi të jashtëzakonshme për konsolidimin e drejtësisë, për monitorimin e publikut ndaj gjyqësorit, është padyshim një hap i jashtëzakonshëm në marrëdhënien e publikut me drejtësinë. Ky sistem krijon një hapësirë të re të shprehjes së qytetarëve. Sot ngrihet një urë më e fortë komunikimi dhe partneriteti, midis qytetarëve dhe institucioneve të rëndësishme, sikundër Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Lartë i Drejtësisë janë. Nëpërmjet portalit të ankimit online, ne forcojmë pozitat e qytetarit përballë sistemit dhe i krijojmë të gjitha mundësitë për të na monitoruar”, u shpreh në fjalën e tij ministri Halimi.
Ankimimi online zhduk plotësisht apo zvogëlon kontaktet mes zyrtarëve publikë që administrojnë ankesën dhe qytetarëve në kohën e aplikimit dhe administrimit të ankesës. Reduktimi i kontakteve zyrtar-publik-qytetar në momentin e marrjes së shërbimeve zvogëlon mundësitë e incidencës së korrupsionit.
Ky sistem lehtëson komunikimin mes MD-së dhe KLD-së për konsultimet lidhur me shmangien e mbivendosjes përgjatë kontrollit të gjyqësorit për shkak të ankesave të qytetarëve.
Projekti u zbatua nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (QTIL) si dhe është financuar nga Ambasada Britanike në Tiranë.
Në Ditën e Drejtësisë ministri Halimi inauguroi edhe logon e re të Ministrisë së Drejtësisë, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





