



Tiranë, 10 maj 2012, NOA – Projektligji i amenduar “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” ka ndezur debatet në sallën e Kuvendit mes opozitës dhe përfaqësuesve të mazhorancës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se projektligji i qeverisë nuk ka për qëllim t’u kthejë pronën pronarëve legjitimë, por t’u dorëzojë pronën në bregdet banditëve të oborrit të kryeministrit.
Sipas socialistit Braçe, kthimi i pronave tek pronarët legjitimë është një çështje e drejte dhe pikërisht për këtë sipas tij ky projektligj do të lërë me gisht në gojë pronarët.
Deputeti Braçe e argumenton me fakte pse ky ligj nuk do t’i shpërblejë pronarët legjitimë, pasi ai nuk përcakton as fondin e kompensimit dhe përligj edhe legalizimin e pronës në bregdet atyre që e kanë marrë pa të drejtë.
“Ç’po ndodh me pronat në Jug, në Porto Romano, Borsh. Ç’po ndodh me dy ligje për legalizimin e pronës. Ky projektligj lidhet me aferën korruptive që po e kalon pronën në duar banditësh, të cilët po marrin vijën bregdetare, për të lënë me gisht në gojë të gjithë pronarët. Për këtë arsye ky ligj nuk do t’i shpërblejë pronarët”, deklaroi deputeti socialist Erion Braçe.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duke replikuar me Braçen akuzoi opozitën se i urren ish-pronarët, siç quajti zonja Topalli pronarët legjitimë të pronave.
“Edi Rama i dha Besos mezen e kryeqytetit (duke pasur parasysh lokalin pranë parkut Rinia). Deri në 2005-ën, zero kompensim financiar për ish-pronarët”, tha Topalli duke nënvizuar se tokat në Tiranë, Edi Rama ia dha Fidelit e Besos.
“Pse keni kaq urrejtje për ish-pronarët”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli.
Topalli lajmëroi se të gjithë ish-pronarët në një periudhë shumë të shpejtë do të nisin të marrin kompensimin fizik të pronës së tyre.
Më herët foli për këtë projektligj edhe ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, i cili nënvizoi se tejzgjatja e procesit të kthimit të pronës tek pronarët e ligjshëm solli korrupsion me pronën.
Mediu si kryetar i PR-së, njëherësh ministër tha se çështja e pronave kërkon një debat të gjerë për infrastrukturën se si duhet të kthehet dhe kompensohet prona e pronarëve.
Famir Mediu replikoi edhe me deputetin Braçe, duke i bërë me dije se kur ai fliste për të drejtën e pronës private, PS fliste për çifligarë e agallarë.
“Unë e vlerësoj shqetësimin tuaj, e uroj të jetë i vërtetë. Kur kam folur unë për të drejtën e pronës private ju flisnit për agallarë e çifligarë”, tha Mediu.
Edhe ministri i Drejtësisë Eduard Halimi e mbrojti projektligjin e qeverisë duke nënvizuar se “Shoqatat e pronarëve kanë qenë dakort me qeverinë që ky afat të shtyhej, në mënyrë që afati i shqyrtimit të 600 dosjeve të rritej, ashtu siç kanë rënë dakord me kompensimin e pronës së tyre me çmimin e tregut”.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





