

Athinë, 9 maj 2012, NOA- Pas dështimit të Antonis Samaras kreu i Demokracisë së Re për krijimin e Qeverisë në Greqinë e krizës, i dështuari i radhës ka rezultuar kreu i partisë Syriza, Aleksis Cipras.
Kreu i partisë së renditur e dyta në votimet e së dielës Aleksis Cipras, ka përfunduar takimet me krerët e politikës greke por nuk ka mundur dot të krijojë Qeverinë, kjo e konkluduar pak më parë pas takimit me kreun e Pasok, Evangjelos Venizelos.
Menjëherë pas takimit siç raporton noa.al, Venizelos u shpreh se për bashkëpunimin kusht kryesor është që Greqia të mbetet në zonën e euros, ndërsa rekomandoi për një qeveri të unitetit kombëtar.
Ai theksoi se tashmë ka radhën të marrë mandatin për të krijuar Qeverinë.
Ditën e nesërme Cipras do dorëzojë mandatin te Presidenti Karolos Papulias, ku ky i fundit do i dorëzojë mandatin për krijimin e Qeverisë të tretit në radhë Evangjelos Venizelos, kreu i Pasok.
Sipas analistëve grekë por edhe atyre ndërkombëtarë, Greqia ndodhet në një udhëkryq, pasi as Venizelos nuk i ka mundësitë për të krijuar Qeverinë dhe si rrjedhojë Greqinë e presin zgjedhje të reja, të cilat pritet të mbahen brenda 30 ditësh.
Në zgjedhjet parlamentare të 6 majit, të cilat sollën një përmbysje historike në politikën greke, “Demokracia e Re” arriti të marrë 18,85% të votave, apo 108 vende në parlament; Syriza doli e dyta me 16,78% të votave apo 52 deputetë; Pasok u rendit në vendin e tretë me 13,18% të votave apo 41 vende në parlament; Grekët e Pavarur arritën të marrin 10,60% të votave apo 33 deputetë; KKE mori 8,48% të votave apo 26 deputetë; neonazistët e “Agimi i Artë” morën 6,97% të votave i përkthyer në 21 mandate deputetësh; E Majta Demokratike mori 6,11% të votave me 19 vende në parlament.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





