Transmetuar më 09-05-2012, 17:06

Tiranë, 9 maj 2012, NOA- Ish Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu do vendoset sërish para akuzës për çështjen “Gërdeci” pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rikthejë në Gjykatën e Lartë çështjen në ngarkim të tij.

Sipas deklaratës së shoqatës së familjarëve të Gërdecit, me vendimin nr. 27 dt. 09.05.2012 Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 5 dt. 01.03.2010 të Gjykatës së Lartë dhe si rrjedhim të kthejë për shqyrtim çështjen penale të Roxhers Durdaj dhe Alketa Hazizaj kundër Fatmir Mediut.

Siç raporton noa.al, Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj e detyron Gjykatën e Lartë të mos pengojë dhe madje të vihet në rolin e ndihmuesit për realizimin e këtij procesi.

“Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar të padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës mënyrën sesi Gjykata e Lartë vendosi të mosfillojë procedimin penal ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes, ku ajo përdori pa të drejtë kompetenca që i takojnë akuzës duke cenuar paanshmërinë e gjykatës, si dhe interesat e ligjshme të të plagosurve”, shprehet shoqata e familjarëve të Gërdecit.

Në dhjetor të vitit 2009, Durdaj dhe Hazizaj e akuzuan Mediun si shkaktar te dëmtimeve të tyre, pas tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec, ku dy të dëmtuarit e akuzuan Mediun, për plagosje të rëndë nga pakujdesia.

Në mars të vitit 2010, Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes ndaj ish ministrit, ndërsa më vonë paditësit e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit