

Bruksel, 9 maj 2012, NOA – Me rastin e Ditës së Europës, 9 Majit, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle tha se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë sepse zgjerimi, sipas tij, është pjesë e zgjidhjes së krizës së tanishme në Evropë.
Në një video mesazh të lëshuar me këtë rast, fyle theksoi se “Ne jemi të vendosur për të ruajtur përparimin në procesin e zgjerimit, pavarësisht nga sfidat, me të cilat përballet Evropa”, citon agjencia kroate e lajmeve HINA.
Komisioneri Fyle tha se sfidat kanë të bëjnë më shumë me globalizimin sesa me zgjerimin.
“Zgjerimi nuk është shkaku, ai është pjesë e zgjidhjes”, nënvizoi ai.
Duke iu referuar zgjerimit të BE-së, komisioneri Fyle u shpreh se Kroacia së shpejti do t’i bashkohet BE-së, Serbisë i është dhënë statusi i kandidatit dhe negociatat me Malin e Zi duhet të fillojnë muajin e ardhshëm.
Sipas Stefan Fyle edhe vendet e tjera të rajonit të Europës juglindore janë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Duke iu referuar krizës në të cilën ndodhet Europa, Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle nënvizoi se Europa vazhdon të jetë “një burim frymëzimi, me vlerat e saj, me standardet e saj të jetesës dhe në rastin e zgjerimit, me fuqinë e saj transformuese”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





