Transmetuar më 09-05-2012, 12:51

Tiranë, 9 maj 2012, NOA – Sot, më 9 maj e tërë Europa kremton me aktivitete ditën e Europës, që përkon me 67 vjetorin e kapitullimit të nazizmit dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, më 9 majin e vitit 1945, falë bashkëpunimit të fuqishëm të forcave aleate.

Kjo ditë festohet me aktivitete edhe në Shqipëri, madje të shpërndara në të gjithë muajin maj, i quajtur këtë vit, si muaji i Europës.

Një kremtim i tillë bëhet edhe më i rëndësishëm në kuadër të aspiratës shumëvjeçare të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, një aspiratë që për t’u realizuar, kërkon përmbushjen e shumë reformave.

Me rastin e Ditës së Europës në Tiranë do të zhvillohet aktiviteti “Vrapi drejt Europës”, i cili nis nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek sheshi “Nënë Tereza”.

Aktivitetin e lajmëroi një ditë më parë kreu i Prezencës së BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, i cili në mjediset e Qendrës së Informimit të BE-së bëri me dije se krosit drejt Europës, do t’i bashkohen qytetarë, intelektualë, politikanë, sportistë e përfaqësues të trupit diplomatik.

Ky aktivitet do të mbahet nën kujdesin e ambasadorit të BE-së, Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Integrimit.

9 Maji, Dita e Europës u përket të gjithë qytetarëve të BE-së, dhe përkujton mbledhjen vendimtare të 9 majit të vitit 1950, kur ministri i Jashtëm francez Robert Schuman thirri një mbledhje tejet të rëndësishme ku merrnin pjesë Gjermania dhe vendet e tjera evropiane për të krijuar një treg të përbashkët për qymyrin dhe çelikun, si themelin e krijimit të një federate evropiane, e cila do të merrte emrin Unioni Europian, BE.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit