Transmetuar më 08-05-2012, 22:09

Kiev, 8 maj 2012, NOA – Ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko do të ndërpresë ditën e mërkurë grevën e urisë që nisi më 20 prill, në shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar në burgun ku ndodhej, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Lajmi është bërë i ditur nga vajza e saj, Evgjenia Timoshenko.

“Neurologu gjerman, Luz Harms do të ndihmojë nënën time të ndalë grevën e urisë”, – ka deklaruar vajza e ish-kryeministres ukrainase, menjëherë pas vizitës që i ka bërë në burg Julia Timoshenkos.

Liderja e opozitës ukrainase ndodhet në burg që prej muajit gusht.

Timoshenko nuk ka pranuar të transferohet në spital, ndërsa pritet që ditën e mërkurë të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ajo ka shpjeguar se tashmë i nevojitet kohë për të diskutuar çështjen e saj edhe me avokatët.

Ndërkaq neurologu gjerman, Luz Harms që do të vizitojë Timoshenkon është shprehur se shpreson në një bashkëpunim të mirë me mjekët ukrainas.

Ish-kryeministrja Julia Timoshenko është dënuar me 7 vite burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Por dënimi i saj ka ngjallur reagime të shumta në Bruksel, i cili e sheh burgimin e Timoshenkos si një hakmarrje politike të qeverisë ndaj opozitës.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit