

Si një bombë higjenike që është gati të shpërthejë e duhet trajtuar me seriozitet, përgjegjësi dhe kundër çdo lloj populizmi, e cilësuan problemin e emigracionit klandestin në një konferencë të përbasahkët për shtyp, ministrat e shëndetësisë dhe mbrojtjes së qytetarit, Andreas Loverdos dhe Mihalis Hrisohoidis.
Siç thanë, situata që është krijuar prej rreth një milion emigrantëve që ndodhen në vend, një pjesë të ligjshëm, pjesa më e madhe të paligjshëm, ka shkaktuar probleme kolosale sa i përket shëndetit të njerëzve, por edhe sigurisë.
Siç thanë, janë shtuar në masën 1000% rastet me SIDA, ndërsa janë lokalizuar 620 shtëpi publike pa licensën përkatëse dhe vetëm shtatë me licencë.
Gjithashtu janë shtuar sëmundjet ngjitëse paralelisht me kriminalitetin, çka në disa zona të caktuara krijon probleme shpërthyese.
Ministrat thanë se po ndërmerren menjëherë kontrolle shëndetësore në gjithë masën e emigrantëve, ndërsa do të vulosen menjëherë banesat ku jetojnë masivisht dhe në mënyrë të paligjshme klandestinët, ndërsa pronarët e banesave do t’u nënshtrohen sanksioneve penale.
Tash e tutje raporti i gjendjes shëndetësore do të jetë kusht i detyrueshëm për punësimin e emigrantëve në vend, ndërkohë që sipas dispozitave të reja higjieno-sanitare, parashikohen kufizie nga tregu i punës për emigrantët që konstatohet se vuajnë nga sëmundje infektive.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





