Transmetuar më 08-05-2012, 18:51

Tiranë, 8 maj 2012, NOA – Rrugëtimi i romëve të mbetur në qiell të hapur pas shkatërrimit të kampit të tyre tek stacioni i Trenit duket një aventurë pa krye…

Banorët e Sharrës, në periferi të Tiranës, janë kundër transferimit të familjeve rome në zonën pranë shtëpive të tyre, ku ndodhet ish-reparti ushtarak, me pretendimin se ky truall është në pronësinë e tyre, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Për strehimin në këtë vend, të tetë familjeve rome të pastreha, vendosi Ministria e Punës, Çështjeve sociale e Shanseve të Barabarta dhe Bashkia e Tiranës.

Ky vendim u mor pasi romët ndenjën për disa ditë në zyrat e Avokatit të Popullit, me kërkesën e këtij të fundit.

Banorët e kësaj zone në dalje të Kombinatit kanë bllokuar rrugën pasditen e të martës, për të mos lejuar strehimin e romëve.

Në këtë bllokim banorët edhe janë përleshur me forcat e policisë së komisariatit të Kombinatit, të cilët sipas burimeve nga policia kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e forcave të RENEA-s për qetësimin e situatës.

Edhe pse autoritetet e shtetit vendosën që romët të strehoheshin pranë ish-repartit ushtarak, banorët e kundërshtojnë këtë.

Forcat e Policisë së Tiranës janë duke negociuar me ta, por ende nuk po arrihet asnjë mirëkuptim.

Sakaq tetë familjet rome prej disa muajsh enden sa në një vend në tjetrin në pamundësi për të gjetur një strehë për fëmijët e gratë.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit