Transmetuar më 08-05-2012, 18:05

Tiranë, 8 maj 2012, NOA – Arma, me të cilën ka qëlluar deputeti demokrat Dashnor Sula në ndeshjen e të premtes, Shkumbini-Flamurtari në stadiumin e Peqinit ka qenë një armë lodër.

Këtë e bëri të ditur Prokuroria e Elbasanit, e cila ka hartuar një raport të plotë mbi ngjarjen gjatë ndeshjes, ku në qendër ishte deputeti demokrat, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Organi i akuzës bën me dije se përfundimi është bazuar në ekspertizën balistike që iu bë armës.

Mediat njoftuan të premten se deputeti Dashnor Sula kishte qëlluar me armë në stadiumin e Peqinit gjatë kohës kur luhej ndeshja Shkumbini-Flamurtari.

Por, që deputeti kishte qëlluar me armë e kishin raportuar edhe vëzhguesi dhe arbitri i ndeshjes.

Kreu i opozitës Edi Rama në tryezën e djeshme për sportin të mbajtur në Elbasan deklaroi se deputeti i PD-së Dashnor Sula është i dashuruar me dhunën dhe se sipas tij, është një person negativ që nxjerr armën dhe qëllon duke dëmtuar marrëdhënien qytetare me sportin.

Pas publikimit të incidentit në media deputeti i PD-së Dashnor Sula deklaroi se kjo është e pavërtetë.

Deputeti Sula tha se është i gatshëm të lërë edhe mandatin e të përballet me drejtësinë nëse vërtetohet se ai ka qëlluar më armë.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit