

Tiranë, 8 maj 2012, NOA- Pak më parë ka nisur takimi mes kryesocialistit Edi Rama dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.
Pas 4 vitesh ftohje në marrëdhënien mes tyre duket se çështja e Presidentit ka bërë bashkë dy aleatët e vjetër në një takim informal ku duket se thyhet akulli në marrëdhënien mes tyre.
Siç raporton noa.al, pak ditë pas takimit me kandidatin e vetëshpallur për President Fatos Nano, Edi Rama u dërgoi një letër krerëve të partive politike parlamentare duke kërkuar prej tyre që të nis konsultimi për dialogun.
Kujtojmë këtu se Fatos Nano takimin e parë për të marrë mbështetjen si President e nisi me kreun e LSI-së Ilir Meta dhe duket se është pikërisht kjo kandidaturë ajo që ka afruar Ilir Metën me Edi Ramën.
Gjithsesi gjithçka pritet të mësohet në përfundim të takimit mes tyre, ashtu si dhe temat e tjera që dy politikanët e spektrit të majtë do diskutojnë me njëri tjetrin.
Në këtë takim kreu i selisë rozë Edi Rama, shoqërohej nga kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi ndërsa Ilir Meta shoqërohej nga Petrit Vasili aktualisht Ministër i Shëndetësisë.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





