Transmetuar më 07-05-2012, 16:54

Lidhur me rastin e Renzo Bossit, Prokuroria e Tiranës thotë se do të merren në pyetje stafi i Kristal dhe pedagogët si dhe do të testohet aftësia njohëse e gjuhës shqipe nga ana e tij Kurse një tjetër element për t’u qartësuar është dhe nëse diploma e ish-këshilltarit rajonal të Lombardisë është njësuar në Ambasadën Italiane në Shqipëri

Tiranë, NOA.al/ Ariola Ymeraj –  Prokuroria Shqiptare ka kërkuar që të marrë në pyetje djalin e Umberto Bossit për të verifikuar marrjen e diplomës në universitetin jopublik Kristal në Tiranë. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme i thanë agjencisë NOA.al se verifikimet do të jenë të shpejta. Mbi të gjitha pritet që ato të hedhin dritë në lidhje me marrje e diplomës në universitetin privat nga Renzo Bossi.

Prokuroria e Përgjithshme mesa duket nuk do të humbasë kohë. Kjo edhe pse dyshimet për karrierën akademike të djalit të Bossit sipas analistëve në Itali, rrezikojnë të pështjellojnë qeverinë e Berishës.

Gjatë kësaj jave hetuesit e Ina Ramës do t’i kërkojnë prokurorisë së Milanos dhe Napolit aktet e hetimit që i përkasin diplomës së Renzo Bosit dhe Pier Moscagiuros.

Sakaq bëhet e ditur se hetuesit shqiptarë gjatë këtyre ditëve do të dëgjojnë dëshmitë e gjithë pedagogëve të lëndëve që i përkasin diplomave të dhëna dy italianëve nga Kristal, për të kuptuar nëse Renzo Bossi i ka frekuentuar  leksionet.

Po kështu, do të dëgjohen dhe dëshmitë e personelit të Universitetit Kristal që ka bërë regjistrimin e Renzo Bossit. Jo vetëm kaq. Task Forca ka ndërmend të thërrasë për të dëshmuar vetë atë, Renzo Bossin, për të folur mbi studimet në Universitetin Kristal. Hetuesit janë duke punuar në dy pista dhe me dyshimet e akuzave si falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe për korrupsion aktiv apo pasiv. Deri tani nuk ka persona nën hetim, – konfirmon Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Përgjithshme, edhe pse ndonjë fakt mund të dalë “nga verifikimi i regjistrave të universitetit.

Por cilat janë pyetjet që do t’i bëhen Renzo Bossit. Nga Prokuroria e Tiranës ekziston mundësia që të testohet aftësia njohëse e gjuhës shqipe nga ana e tij. Një tjetër element për t’u qartësuar është dhe nëse diploma e ish-këshilltarit rajonal të Lombardisë është njësuar në Ambasadën Italiane në Shqipëri.

Kemi dërguar materialin e procesit në Prokurorinë e Milanos dhe të Napolit, – thonë nga zyra diplomatike italiane në Tiranë.

LEXONI GJITHASHTU: Djali i Umberto Bosit merr diplomë nga universitetit Kristal në Tiranë, ziejnë mediat italiane

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit