

Moskë, 7 maj 2012, NOA – Industria kimike dhe e plehrave në Evropën Jugore është një nga prodhueset më të rëndësishme të eksporteve dhe e krijimit të vendeve të punës.
Për të gjeneruar dhe rritur efektivitetin në këtë industri, IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka nisur studimin e parë të këtij lloji për industrinë e prodhimit të kimikateve dhe plehrave, për t’u ardhur në ndihmë kompanive të Evropës Jugore të identifikojnë fushat ku ka nevojë për përmirësime të efektivitetit të burimeve dhe për t’u bërë më konkurruese.
Kjo është një analizë të thellë e kompanive të zgjedhura vendore në Ballkanin Perëndimor për t’i ndihmuar ato të përmirësojnë operacionet e tyre dhe për të kursyer në kosto përmes menaxhimit të efektivitetit të burimeve.
IFC-ja, do të kryejë një vlerësim në bazë sektori të industrisë së kimikateve të nitrogjenit dhe të prodhimit të plehrave, duke e matur këtë sektor me standardet e Evropës Perëndimore.
Plehrat e prodhuara përdoren në prodhimin e ushqimeve për gati gjysmën e popullsisë së botës, ndërsa prodhimi i plehut të nitrogjenit konsumon rreth 1.2 për qind të energjisë së përgjithshme të botës.
Viera Feckova, menaxhere e programit të IFC-së për Efektivitetin e Burimeve në Evropë dhe Azi u shpreh se “Industria kimike dhe e plehrave në Evropën Jugore është një prodhuese e rëndësishme e eksporteve dhe e krijimit të vendeve të punës”.
“IFC-ja po e nis këtë studim për të gjeneruar më shumë investime në efektivitetin e burimeve në këtë industri dhe për t’u dhënë mundësi vendimmarrësve të firmave vendase të bëjnë zgjedhje investimesh më të informuara, të cilat do t’i ndihmojnë ato të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar”, nënvizoi Viera Feckova.
Rezultatet e studimit të IFC-së do të shërbejnë si një instrument praktik, i cili do t’i ndihmojë vendimmarrësit e korporatave t’i krahasojnë operacionet e tyre me një spektër të gjerë konkurruesish dhe për të identifikuar fushat ku ka nevojë për përmirësime.
Ky institut në partneritet me Shoqatën Ndërkombëtare të Plehrave dhe me Shoqatën Evropiane të Prodhuesve të Plehrave, synon ta kthejë këtë iniciativë të matjes së efektivitetit të burimeve në një praktikë të rregullt globale në këtë industri.
Programin për Efektivitetin e Burimeve në Evropë dhe Azinë Qendrore e mbështet edhe Ministria e Financave të Austrisë.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





