



Romë, 7 maj 2012, NOA- Në kuadër të vizitës së tij në Itali, Kryeministri shqiptar Sali Berisha u prit në takim nga homologu italian Mario Monti.
Në fjalën e tij Kryeministri Monti vlerësoi komunitetin shqiptar në Itali duke thënë se janë të dytët në numër në radhët e emigrantëve dhe ndër më të integruar.
“Për këtë arsye Italia ka mbështetur liberalizimin e vizave, pavarësisht nevojës për të kufizuar shpenzimet tona publike, veprimtaria e kooperacionit italian është rritur. Për integrimin, unë dhe Kryeministri Berisha kemi pasur takimin e parë në Bruksel në ‘96 kur unë isha komisar, i shpreha vlerësimin për gjithë detyrat e përmbushura nga qeveria shqiptare për paketën e reformave një qëndrueshmëri e vazhdueshme e qeverisë për të vijuar me reformat. Italia është në favor të të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Monti, raporton noa.al.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje ndaj Kryeministrit italian, Qeverisë dhe kombit italian për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e vështirë por të suksesshme të ndërtimit të shoqërisë së lirë të bazuara në vlerat universale të lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe të drejtat e tregut.
Më tej ai tha se ndihma e Italisë ka pasur një rëndësi jetike me 360 milionë euro, ndërsa në statistikat e dosjes së tij Berisha tha se do gjendet një faturë me 600 mijë euro e shndërruar me qindra e qindra projekte të cilat kanë bërë që Shqipëria të jetë sot një vend tjetër.
Në kuadër të festës së 100 vjetorit të Pavarësisë Berisha e ftoi homologun italian që të vizitojë Shqipërinë.
Ndër të tjera Kryeministri Berisha tha se, “Nga mesjeta deri sot shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë. Në valët e dikurshme dhe ato të sotme ata janë rreth 1 milionë. Ndaj unë vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer në të gjitha fushat, por ajo që spikat është se me këto që kemi arritur është krijuar një bazë e shkëlqyer për një dimension të ri për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kombeve tona”.
a.y/noa.al
Në foton e parë, Sali Berisha
Në foton e dytë, Mario Monti
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





