Transmetuar më 06-05-2012, 20:16

Mitrovicë, 6 maj 2012, NOA – Qendrat e Votimit të mbikqyruara nga OSBE janë mbyllur në veri të Kosovës, në të njëjtën orë me ato brenda territorit të Serbisë.

“Janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të cilat janë zhvilluar sot edhe në Kosovë”, konfirmon zëdhënësi i OSBE-së, Nikolla Goan, raporton RTK.

Serbët votuan sot për zgjedhjet e presidentit të ri, deputetëve dhe drejtuesve lokalë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës Besim Hoti gjendja e sigurisë gjatë procesit zgjedhor është vlerësuar e qetë.

“Përgjithësisht gjendja e sigurisë është e qetë, pa incidente, të cilat kishin me cënuar gjendjen e sigurisë në Mitrovicë. Policia e Kosovës është prezente kryesisht në lagjet me popullatë të përzier, por edhe në të gjitha qendrat e votimeve të organizuara ose të lehtësuara nga OSBE-ja”, thotë zëdhënësi i policisë, Besim Hoti.

Ndërkohë që, përkundër thirrjeve të institucioneve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare dhe vetë Beogradit zyrtarë, për mos mbajtje të zgjedhjeve lokale në Kosovë, sërish mësohet se në komunat veriore, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbajtur zgjedhjet lokale, të cilësuara si jo legjitime.

OSBE-ja është në dijeni për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në këto dy komuna, por thotë se ato po mbahen jashtë objekteve, në të cilat është prezente OSBE-ja.

“Ne jemi në dijeni për organizmin e zgjedhjeve lokale në veri. Por, nuk ka votim për zgjedhjet lokale në qendrat apo vendvotimet e OSBE-së. Operimet tona nuk përfshijnë zgjedhjet lokale”, tha zëdhënësi i OSBE-së, Nikolla Goan.

Për lehtësimin e zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare në Kosovë, janë të angazhuar rreth 500 shërbyes të OSBE-së, të cilët do të përcjellin votimet e rreth 109.000 qytetarëve serbë me të drejtë vote.

Lehtësimi nga ana e OSBE-së bëhet në bazë të një marrëveshje të arritur nga misioni i OSBE-së me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë.

Qeveria e Kosovës ka thënë se marrëveshja është në pajtim me standardet evropiane si dhe me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pasi në çdo vend evropian qytetarët me dy shtetësi kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të shtetit tjetër.

Në mungese të ambasadës së Serbisë në Kosovë, institucionet e vendit kanë thënë se votat do të numërohen jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit