




Paris, Athinë, 5 maj 2012, NOA – Janë orët e fundit të heshtjes zgjedhore në Francë dhe Greqi, pasi të dy vendet e BE-së do të përballen me provën e vështirë, se cilët do të dalin fitues në zgjedhjet e 6 majit, socialistët apo të djathtët.
Më shumë se 48 milionë francezë zgjedhin të dielën presidentin e ri.
Megjithatë francezët janë ndërdyshës për të ardhmen e tyre.
Pas fushatës së ashpër mes presidentit në detyrë, Nikolas Sarkozy dhe rivalit të tij, socialistit François Hollande, sondazhet flasin për një avantazh prej më pak se 4 pikë në favor të socialistit.
Në raundin e parë, thuajse 20% e francezëve me të drejtë vote nuk preferuan ta ushtrojnë të drejtën e tyre, i cili ishte një sinjal zhgënjimi shumë i qartë.
Dilema për të zgjedhur mes “Francës së fortë” – sllogani i Presidentit Sarkozy dhe “Ndryshimi tani” – sllogani i rivalit Hollande, është e vështirë për t’u perceptuar thjeshtë me një votë.
Sarkozy u ka kujtuar francezëve se fitorja e rivalit socialist, parasheh re të zeza për ekonominë e vendit dhe paralajmëron një skenar të ngjashëm me atë të Greqisë.
Por, e diela e 6 majit është një ditë prove edhe për Greqinë, kur 10 milionë grekë do të zgjedhin mes 32 siglave në garë.
Sipas analistëve parlamenti i ri do të jetë ai më i larmishmi në historinë moderne të Greqisë, kur priten që të paktën 8 parti, të kalojnë pragun elektoral prej 3%.
Fushata e shkurtër elektorale, tregoi se asnjëra prej dy partive të mëdha, “Demokracisë së Re” dhe PASOK-ut nuk do të mund të fitojë shumicën e nevojshme për të krijuar një qeveri solide.
Sondazhet i japin avantazh konservatorëve të Demokracisë së Re me 27% të preferencave, kundrejt 16% të socialistëve të PASOK.
Sistemi zgjedhor grek e ndan vendin në 56 rajone, të cilat në bazë të numrit të popullsisë zgjedhin 300 deputetët e parlamentit të këtij vendi.
Mbi 360 mijë të rinj do të votojnë për herë të parë këtë të dielën ë shtetin fqinj.
Të dielën e 6 majit edhe Serbia do të zhvillojë zgjedhjet e saj, parlamentare, presidenciale e lokale.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





