

Tiranë, 5 maj 2012, NOA – Në ditën e dëshmorëve të atdheut në këtë 5 maj janë përkujtuar të gjithë ata, që sakrifikuan jetën për një Shqipëri më të mirë, më të denjë dhe më të arrirë.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama së bashku me deputetë dhe qindra mbështetës të forcës politike që drejton, kanë vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri” dhe janë përulur me respekt para veprës së të rënëve në Luftën Nacional Çlirimtare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Edi Rama gjatë fjalës për mediat në përfundim të ceremonisë së kujtimit është shprehur se Shqipëria që kemi sot nuk është Shqipëria për të cilën dëshmorët dhanë jetën.
Ai ka ripërsëritur angazhimin e tij se forca politike që drejton do të vazhdojë betejën për një Rilindje Shqiptare.
“Gjithmonë në këtë vend lind me sytë e parafytyrimit krahasimi mes Shqipërinë që deshën ata që prehen këtu, Shqipërisë që kemi dhe Shqipërisë që duam. Unë dua të përfitoj përsëri nga ky rast këtu në këtë vend për të thënë se do të bëjmë gjithçka mundemi që Shqipëria që duam të jetë ajo që deshën ata të cilët prehen këtu dhe të gjithë ata të tjerë që në rrugën e gjatë të sakrificave dhe të martirizimeve aspiruan dhe nuk arritën të shohin dot. E pra, Shqipëria që kemi sot nuk është Shqipëria që deshën ata që prehen këtu, nuk është Shqipëria që duam. E, për këtë do të vazhdojmë të luftojmë për ideale, ide, që janë idealet dhe idetë e Shqipërisë Europiane, për atë Rilindje Shqiptare për të cilën jemi të angazhuar”, u shpreh Rama.
Deputetët e Partisë Socialiste Arta Dade e Xhemal Qefalia kanë zhvilluar në këtë 5 maj një vizitë në shtëpinë e dëshmorit të atdheut Feti Vogli, ku janë mirëpritur nga familjarët e tij.
Ata u shprehën se dëshmori i atdheut Feti Vogli ra në krye të detyrës duke lartësuar Shqipërinë në misionin e saj për paqen.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





