Transmetuar më 05-05-2012, 17:11

Preshevë, 5 maj 2012, NOA – Me parrullat “Bujanovci është Kosovë Lindore, “Liri shqiptarëve të Luginës”, dhe “Poshtë regjimi i pasardhësve të Millosheviçit”, mijëra shqiptarë protestuan sot në sheshin “Skënderbeu”, në Bujanovc, kundër arrestimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në krye të protestuesve ishin kryetarët e dy komunave, asaj të Bujanovcit dhe Preshevës, të cilët deklaruan se shqiptarët nuk i nënshtrohen terrorit serb, dhe do të vijojnë të qëndrojnë në Luginën e Preshevës, bën me dije agjencia “Presheva Jonë”.

Kryetari Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi deklaroi përpara demonstruesve se Ivica Daçiç nuk do të mund të zmbrapsë shqiptarët me dhunë nga territori i tyre.

“Ivica Daçiç nuk e ka hesapin e mirë, pasi shqiptarët me dhunë nuk sprapsen, por bëhen edhe më të bashkuar dhe më të fortë. Daçiç dje përdori gjithçka, arrestoi edhe qytetarë që janë në listë për këshilltarë, prandaj nga këtu u themi se të gjithë jemi terroristë dhe le të vijë e të na arrestojë të gjithëve, nëse mundet”, tha kryetari i komunës së Bujanovcit.

Gjatë tubimit kryekomunari Shaip Kamberi i bëri thirrje OSBE-së, OKB-së, BE-së dhe organizmave të tjerë në Bruksel e Gjenevë që të ndërhyjnë në Luginën e Preshevës, për të parandaluar dhunën serbe dhe përkeqësimin e situatës në rajon.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Bujanovcit Jonmuz Mulsiu theksoi se ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç nuk kurseu as familjen e komandantit Lleshi, për të realizuar spastrimin etnik në Luginën e Preshevës.

Qytetarët të revoltuar mbanin në duar edhe parrulla me mbishkrime “Daçiç, djali i Millosheviçit-Stop diskriminimit”, “Bujanovcin do ta ruajmë”, etj.

Protesta e sotme në Bujanovc e thirrur për të dënuar arrestimin e pesë shqiptarëve të premten në Luginën e Preshevës u ndoq për arsye sigurie nga forca të mëdha policore e ushtarake, si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare, ambasadës së SHBA-ve në Serbi, si dhe përfaqësues të mediave shqiptare, serbe dhe të huaja, bën me dije “Presheva Jonë”.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit