Transmetuar më 05-05-2012, 16:30

Tiranë, 5 maj 2012, NOA – Partia Socialiste ka reaguar ndaj tensionimit të situatës në Luginën e Preshevës në prag të zgjedhjeve serbe, ku xhandarmëria serbe arrestoi pesë shqiptarë në Bujanovc, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

PS përmes një deklarate për shtyp shpreh shqetësimin e thellë për rritjen artificiale të tensioneve politike në Luginën e Preshevës.

“Bastisjet e arrestimet e shqiptarëve në afërsi të Bujanovcit dhe proceset e montuara politikisht, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve në atmosferën e frikës, panikut e presioneve, vënë në diskutim standardet demokratike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut të detyrueshme për çdo vend”, deklaron PS.

Partia Socialiste bën thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike dhe paralajmëron për rrezikun që vjen nga rikthimi i retorikës e praktikave të pak viteve më parë, të cilat dëmtojnë rëndë harmoninë ndëretnike dhe pengojnë bashkëpunimin rajonal, një element i rëndësishëm edhe për proceset integruese euro-atlantike të rajonit.

Partia Socialiste shpreh mbështetjen e plotë për faktorin politik shqiptar në përpjekjet e tij për përballimin me maturi e pjekuri të provokimeve dhe të tentativave për zbrazjen e Luginës së Preshevës nga shqiptarët.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit