Transmetuar më 05-05-2012, 14:48

Tiranë, 5 maj 2012, NOA – Në Ditën e Dëshmorëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Gjatë homazheve pranë monumentit “Nënë Shqipëri” Lulzim Basha u përul me nderim për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit, lirinë e kombit dhe për një jetë të sigurtë për qytetarët shqiptarë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kryebashkiaku i Tiranës kreu edhe vizita në familjet e Dëshmorëve të Kombit.

Njëra nga familjet që vizitoi Basha ishte familja e Heroit të Popullit Sulejman Sefer Cenomeri.

Gjatë vizitës, Basha theksoi se “më e pakta që mund të bëjmë për heronjtë e kombit, ata që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, është t’i nderojmë dhe me punën tonë të ndërtojmë qytetin që ata kanë ëndërruar rreth 70 vjet më parë”.

Kryetari i Bashkisë vizitoi edhe familjen e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari, ku vlerësoi kurajon dhe guximin e tij për t’u vënë në krye të Lëvizjes Studentore që çoi në rrëzimin e regjimit diktatorial dhe i hapi rrugë realizimit të ëndrrave të shqiptarëve anëtarësimit në NATO, lëvizjes së lirë në mbarë Europën dhe ecjes drejt anëtarësimit në BE.

Në këtë ditë, një nderim i veçantë shkoi dhe për ish-ushtarët e UÇK-së.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u ndal në familjen e Heroit të Kombit Skerdilajd Llagami, i njohur me pseudonimin “Komandant Shpendi”.

Zoti Basha u angazhua për ngritjen në Tiranë të një memoriali në përkujtim të komandant Shpendit, i cili u bë pjesë e tri luftrave për liri, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, më pas në atë të Luginës së Preshevës si dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

Skerdilajd Llagami ra më 29 qershor të vitit 2001 në fshatin Begovi afër Tetovës.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit