

"Një detaj interesant në përfshirjen e Bossi-it në politikë ka të bëjë me politikën e tij “etnografike”. Shumë i lidhur pas elementëve etnografikë të “popullit lumbard”, siç preferonte t’i quante mbështetësit e tij, ai i përdorte mjeshtërisht ato në funksion të suksesit politik. Jo vetëm kaq, një kujtesë e kohëve të arta mbretërore të lumbardëve i futi në kokë idenë e “mbretërimit familjar” në politikë. Ndoshta mund të ketë luajtur rol edhe emri i tij"…
Albert Nikolla
Umberto Bossi ka qenë deri para pak ditësh udhëheqësi i “plot’hir” dhe i padiskutueshëm i partisë Lidhja e Veriut (Lega Nord) në Itali. Një ndër shtyllat e forta të aktivitetit politik të Lega Nord ka qenë lufta ndaj korrupsionit dhe përqendrimit të pushtetit qendror në Romë. “Roma ladrona” (Roma hajdute) ishte bërë një shprehje e përditshme në gojën e çdo mbështetësi të Lega-s. Mjaft votues shikonin tek Lega një mënyrë për të luftuar korrupsionin e madh me natyrë “jugore italiane” e madje, nëse kjo luftë do të ishte e pafrytshme, një mundësi ndarjeje përfundimtare nga shteti italian për të krijuar shtetin fantomatik padan.
Kur plasi skandali korruptiv i kësaj partie dhe kur dolën fakte të abuzimeve të Bossi-it dhe familjes së tij, pati një thyerje të madhe të kohezionit të kësaj partie dhe një zhgënjim të popullit mbështetës të saj, bashkë me një turbullim ndjenjash kundrejt udhëheqësit. Disa “kocka të forta” e mbrojnë akoma, të tjerë kërkojnë me ngulm largimin e tij. Fakte skandaloze dalin përditë në pah dhe krijojnë një pështjellim të madh në opinionin publik italian, pasi duket sikur asnjë parti, sado “puritane” të paraqitet, nuk i reziston dot korrupsionit.
Një detaj interesant në përfshirjen e Bossi-it në politikë ka të bëjë me politikën e tij “etnografike”. Shumë i lidhur pas elementëve etnografikë të “popullit lumbard”, siç preferonte t’i quante mbështetësit e tij, ai i përdorte mjeshtërisht ato në funksion të suksesit politik. Jo vetëm kaq, një kujtesë e kohëve të arta mbretërore të lumbardëve i futi në kokë idenë e “mbretërimit familjar” në politikë. Ndoshta mund të ketë luajtur rol edhe emri i tij: “Umberto”! Këtu fillon edhe komedia e tij politike që i solli pashmangshmërisht fundin politik.
Bossi ka një djalë që quhet Renzo Bossi. Pa asnjë ndjesi përbuzjeje apo ofendimi për të, ai është krejt idiot. Aq idiot është Renzo i shkretë, sa babai i tij Umberto e quan publikisht pa pikë problemi “trota”. “Trota” është një fjalë që në shqip përkthehet me fjalën “troftë”, por në kontekstin italian ka kuptimin, pak a shumë, “trap”. Ndoshta ka qenë kjo mënyrë humori e Bossi-it për t’u hedhur hi syve njerëzve, pasi ai, duke e ditur sa idiot është djali i tij, e ka mbështetur tej mase në një karrierë politike të rrufeshme. Ky injorant i pashkollë bëhet, pak kohë pasi ka kaluar moshën 20-vjeçare, këshilltar rajonal i Lombardisë me një rrogë 10 000 euro në muaj. Për të kuptuar diferencën, për lexuesit, vërej se pensioni minimal në Itali është rreth 470 € në muaj. Mirëpo “trapi” i Bossi-it kishte një problem: ishte pa diplomë universitare dhe ky fakt nuk përputhej aspak me nivelin tejet të lartë politik. Në këtë pikë vjen në ndihmë solidariteti shqiptar dhe Renzo Bossi, nga “trap” i thjeshtë, bëhet “trap me diplomë shqiptare”.
Në fakt, gazeta italiane “Corriere della Sera” në version e sotëm “on line” dëshmon me argumente të pakundërshtueshme se ai është pajisur me diplomë në një universitet privat shqiptar. Unë, në argumentimin tim, nuk nisem nga fakti nëse ai ka marrë ose jo një diplomë të rregullt nga ana procedurale e juridike, por nga fakti se “trapi” nuk ka pasur nivelin intelektual për të marrë një diplomë në Itali dhe kjo gjë duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht për vlefshmërinë reale të diplomave shqiptare.
Ndërkohë që në Itali ka mbi 15 000 studentë universitarë shqiptarë që kërkojnë një diplomë që vërtetë vlen, “trapi” vjen nga Italia e merr diplomë shqiptare. Kohët ndërrojnë e bashkë me to edhe zakonet.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





