Transmetuar më 04-05-2012, 18:58

Prishtinë, 4 maj 2012, NOA- Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ditën e sotme ndaj arrestimeve të shqiptarëve në Bujanoc, duke i cilësuar si vijim i politikave të spastrimit etnik.

Sipas Vetëvendosjes thuhet se sot në orët e hershme të mëngjesit forcat e xhandarmërisë serbe kanë bastisur, keqtrajtuar dhe arrestuar 8 shqiptarë nga komuna e Bujanocit, disa prej tyre, ish pjesëtarë të UÇPMB-së.

Theksohet se xhandarmëria serbe e urdhëruar nga ministri serb Ivica Daçiç ka qenë brutale duke mos kursyer as gratë e fëmijët.

“Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç herë thotë se ata janë arrestuar për krime lufte kundër civilëve, herë se janë pjesëtar të një formacioni të armatosur të krijuar së voni, e herë pretendon se i kanë rezistuar arrestimit. Ndërkohë qeveria e Hashim Thaçit jo vetëm se nuk angazhohet për mbrojtjen e bashkëkombasve tanë por as nuk gjen kohën për të reaguar. Përkundrazi qeveria e Kosovës, siç po shihet, e ndihmon Serbinë që të organizojë zgjedhjet serbe në Republikën e Kosovës, si shpërblim për trajtimin çnjerëzor që Serbia i bën shqiptarëve sa herë që ka mundësi”, thekson Vetëvendosje në qëndrimin e saj, raporton noa.al.

Në vijim arrestimet cilësohen si vazhdimësi e proceseve politike me skenarë antishqiptarë të Serbisë me motiv spastrimin etnik të Luginës së Preshevës.

Lëvizja Vetëvendosje fton të gjithë organizmat vendorë, po ashtu edhe ata ndërkombëtarë që të ushtrojë presion ndaj Serbisë, që të ndalet menjëherë represioni ndaj popullatës shqiptare atje si dhe kërkon që Qeveria e Kosovës të ndal sjelljen indiferente.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit