

Tiranë, 4 maj 2012, NOA- Në tryezën rajonale të forumeve politike të grave e mbledhur me nismën e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë iu bë thirrje partive parlamentare të respektojnë kuotën gjinore të përfaqësimit të gruas në politikë.
Në këtë tryezë u mblodhën bashkë femra politikane të rajonit, nga ku u dol me një rezolutë ku konstatua se gratë dhe vajzat gëzojnë të njëjtat të drejta si burrat dhe djemtë për të qenë pjesë e vendim-marrjes në strukturat partiake, në Parlament dhe në Qeveri.
Siç raporton noa.al, në vijim u theksua se në të gjithë Botën, është pranuar gjerësisht se një përfaqësim më i barabartë i grave dhe burrave në Parlament është i nevojshëm për të reflektuar më saktësisht përbërjen e shoqërisë dhe për të siguruar se janë marrë në konsideratë edhe interesat e grave.
Në vijim theksohet se edhe pse vitet e fundit janë miratuar disa ligje dhe strategji, por edhe pse janë ndërmarrë hapa pozitivë, janë vërejtur edhe mangësi.
Gra dhe burra, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile kanë krijuar një koalicion të gjerë, i cili po shtyn përpara axhendën e fokusuar në përmirësimin e të drejtave politike të grave. Ata kanë shprehur qartësisht se cilat janë pritshmëritë e tyre nga partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre në Parlament.
“Ne, pjesëmarrëse në Tryezën Rajonale të Forumeve të Grave të Partive Politike, duam të kujtojmë liderët e të gjitha partive politike në Shqipëri, të gjithë anëtarët e Parlamentit dhe të gjithë vendim-marrësit të respektojnë kuotën 30% të pjesëmarrjes së grave në Parlament. Duke qenë se partitë politike parlamentare kanë përgjegjësinë më të madhe për progresin e demokracisë dhe integrimin e Shqipërisë në BE, ne sugjerojmë që këto parti politike të jenë të parat që të mbështesin këtë iniciativë”, theksohej në rezolutë.
Në takimin e forumeve politike të grave të rajonit, organizuar nga LDGSH morën pjesë përfaqësueset e : Nea Dimokratia (ND)Greqi, PDK, Kosovë, AAK Kosovë, VMRO-DPMNE, Maqedoni dhe forumet e grave të partive në Shqipëri si; LGI, PR dhe PDIU.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





