



Mbrojtësi ligjor i fëmijëve të kryeministrit, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, në një deklaratë për media sot, akuzoi deputetin socialist Saimir Tahiri se po i fshihet organeve të drejtësisë, lidhur me padinë që i është bërë në gjykatë.
Avokat Sokol Barçi, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, me cilësinë e përfaqësuesit ligjor të paditësve Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha është mbrojtës ligjor në çështjen gjyqësore me palë, paditës dy fëmijët e kryeministrit dhe të paditur Saimir Tahiri. Çështja ka si objekt detyrimin e të paditurit Saimir Tahiri t’i shpërblejë paditëses Argita Malltezi dëmin jopasuror në shumën 4 milionë lekë dhe paditësit Shkëlzen Berisha, po ashtu 4 milionë lekë, raporton noa.al.
Lidhur me procesin gjyqësor, z. Barçi shprehet: Sot për të tretën herë radhazi deputeti Saimir Tahiri nuk u paraqit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në procesin e hapur nga paditësit Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha për shpifjet e bëra nga Tahiri në adresë të tyre.
“Me justifikime qesharake Tahiri për të tretën herë radhazi i fshihet përballjes me ligjin duke u përpjekur ti bishtnojë shpifjeve të veta. E ftojmë deputetin Tahiri të mos fshihet, por të respektojë gjykatat dhe sistemin e drejtësisë të vendit, të ketë kurajë të vijë në sallat e gjyqit, të përballet me ligjin njëlloj si gjithë qytetarët e këtij vendi dhe të provojë akuzat që ka bërë”, – thuhet në deklaratën e avokatit. e.t/noa.al
Në fotot: Argita Malltezi, Shkëlzen Berisha, Fotot: NOA/LSA
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





