Transmetuar më 04-05-2012, 14:44

Tiranë, 4 maj 2012, NOA- Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth në fjalën e mbajtur në kongresin e parë të noterëve shqiptarë tha se besimi dhe siguria te noterët është një garanci ligjore për zhvillimin social dhe ekonomik dhe për integrimin europian të vendit.

Ai tha se forcimi i pozicionit të noterëve është një element kyç në sektorin ligjor, është një nga qëllimet strategjike të Prezencës së OSBE-së në ndihmën për autoritetet kombëtare për konsolidimin e shtetit të së drejtës.

“Prezenca e OSBE-së beson se noterët duhet të luajnë një rol vendimtar në sektorin ligjor, një rol i reflektuar edhe në statusin e pavarur që gëzon ky profesion. Përmes pavarësisë së tyre, noterët janë vërtet gardianët e të drejtave të qytetarëve. Në kryerjen e punës së tyre profesionale, ata janë të lirë dhe objektivë dhe u duhet besuar pikërisht për paanshmërisë e tyre. Megjithatë, ky status i veçantë vjen edhe me disa përgjegjësi solemne. Në marrjen përsipër të detyrave të tyre, ata duhet të udhëhiqen nga pesë parime profesionale kyçe: integriteti, paanshmëria, e vërteta, barazia dhe konfidencialiteti”, u shpreh Wollfarth, raporton noa.al.

Ambasadori i OSBE-së theksoi se puna profesionale e noterëve lehtëson ngarkesën e organeve të tjera ligjore, pasi redukton pasigurinë dhe kostot.

Wollfarth konstatoi se si një gardian i të drejtave të gjithë qytetarëve, nevojitet një përmirësim i mekanizmave të inspektimit të noterëve, veçanërisht për inspektimin e dokumenteve noteriale.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se, “Çdo shkelje duhet të çojë në masa disiplinore më të ashpra sepse kjo mund të jetë mënyra e vetme efektive për të përforcuar besimin e publikut në sistemin ligjor”.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit