

Preshevë (Serbi) 4 maj 2012, NOA – Policia serbe sot në mëngjes në rajonin e Bujanocit të Luginës së Preshevës ka arrestuar rreth 10 shqiptarë. Sipas mediave serbe, arrestimi bëhet për shkak se ata akuzohen për krime lufte ndaj serbëve.
Arrestimet kanë ndodhur në Bujanoc, si dhe fshatrat Tërnoc dhe Breznicë si dhe janë bastisur më shumë se 8 lokalitete. Në mesin e të arrestuarëve është edhe një përkthyes shqiptarë në misionin e OSBE-së në Luginën e Preshevës.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi deklaroi se janë të informuar lidhur me arrestimet dhe bastisjet e kryera nga xhandarmeria serbe nëpër vendbanimet shqiptare dhe se pritet reagimi i shpejtë, pas dhënies së hollësive nga autoritetet serbe.
Ai theksoi se ka pranuar shqetësimet e banorëve dhe familjarëve lidhur me operacionin e policisë serbe. Policia serbe ka bërë të ditur se sot do të informojë në detaje lidhur me operacionin e zhvilluar.
Ky operacion është i dyti i ndërmarrë nga policia serbe në Luginën e Preshevës gjoja për arrestimin e grupeve që kanë kryer krime kundër serbëve gjatë luftës së Kosovës. Gjykata Serbe ka rikthyer në shqyrtim procesin gjyqësor kundër dhjetra të rinjve shqiptarë nga Presheva lidhur me rastin e koduar serb “Grupi i Gjilanit”, të cilët u akuzuan për krime lufte ndaj serbëve në luftën e Kosovës në rajonin e Gjilanit. Por, provat dhe denoncimet e bëra dolën të dështuara dhe pa argumentuara pra gjykatës serbe, ashtu që procesi është kthyer për rigjykim.
noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





