

Pejë, 3 maj 2012, NOA – Njësia antidrogë e Pejës në Kosovë finalizoi të enjten një operacion policor, gjatë të cilit u bastisën dy lokacione të ndryshme në qytetin e Pejës dhe u sekuestruan mbi 9 kg e gjysmë drogë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Gjatë këtij operacioni policor u arrestuan dy persona të akuzuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të drogave të rrezikshme dhe substancave psikotrope, si dhe për armëmbajtje dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve, bën me dije QIK.
Si provë materiale gjatë këtij operacioni policor u sekuestruan 9 kg e 562 gramë substancë narkotike e llojit marijuanë dhe një armë, e poseduar në mënyrë të paligjshme. Policia e Pejës arrestoi gjatë operacionit Burhan. P. (1971) dhe Ymer. A. ( 1987).
Dy personave u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





