

Lushnje, 3 maj 2012, NOA – Pylli me pisha i Divjakës rrezikon të zhduket dalëngadalë…
Është dora shkatërrimtare e njeriut që po cënon dita ditës Parkun Kombëtar të Divjakës, një nga pasuritë e pazëvendësueshme të natyrës shqiptare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Qindra drurë pishe 80-vjeçarë janë prerë nga persona të papërgjegjshëm, për t’u përdorur si lëndë e parë për zjarr, në lokalet dhe restorantet, e ngritura në mënyrë të paligjshme brenda pyllit të mbrojtur me pisha.
Askush nuk respekton tabelat e vendosura nga shërbimi pyjor që ndalojnë prerjen e drurëve në pyll, duke shkelur ligjin në mënyrën më të pashembullt.
Sipas të dhënave janë rreth 50 objekte pa leje të ndërtuara në pyllin e Divjakës gjatë këtyre viteve të fundit.
Pronarët e lokaleve kanë ndërtuar oxhaqe për të gatuar, ku nuk përdorin as gazin as energjinë elektrike, por gatuajnë vetëm me dru pishe.
Situatën e bën më alarmante edhe fakti se autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e pyllit kombëtar janë neglizhente dhe nuk kanë marrë asnjë masë për ndalimin e kësaj katastrofe kundër mjedisit.
Sipas të dhënave në pyllin e Divjakës çdo pronar lokali pret në ditë mesatarisht 10 pisha, një fakt, që me shumë gjasë në pak kohë do të zhdukë pak nga pak këtë pyll, prej 5 mijë ha me pisha.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





