

Tiranë, 3 maj 2012, NOA – Zyrtarizmi i gjuhës së shenjave në Shqipëri, si pjesë e plotësimit dhe respektimit të të drejtave të personave që nuk dëgjojnë, ishte kryefjala e një tryeze të përbashkët të organizuar në Tiranë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kjo tryezë e organizuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Shoqata Kombëtare të Personave që nuk Dëgjojnë (ANAD) me mbështetjen e Projektit të PNUD, mblodhi edhe përfaqësues të OJF-ve.
Zv/ministrja Filloreta Kodra gjatë fjalës së saj theksoi se “mungesa e standardizimit të gjuhës së shenjave jo vetëm ka krijuar një distancë të pajustifikuar deri tani, por ka vështirësuar në të njëjtën kohë arsimin, punësimin, marrjen e kujdesit shëndetësor dhe gjithë shërbimeve të tjera të domosdoshme për personat që nuk dëgjojnë e nuk flasin”.
Sipas Kodrës, zyrtarizimi i gjuhës shqipe të shenjave është një hap
i rëndësishëm, i cili do të vendosë në kushte të barabarta komunikimi personat me
vështirësi në dëgjim me pjesën tjetër të shoqërisë.
“Shërbimi i interpretit të gjuhës së shenjave duhet futur menjëherë si në institucionet
edhe administratën shtetërore ku ofrohen shërbime, edhe në të gjitha mjediset e tjera
me rëndësi publike si një detyrim ligjor, që t’u sigurojë të drejtat që meritojnë këtij
komuniteti”, vuri në dukje zëvendësministrja Kodra.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Kabinetin e kryeministrit të
Kosovës, Habit Hajredini, solli eksperiencën pozitive të Kosovës, e cila ka zyrtarizuar
gjuhën e shenjave, duke e vënë theksin në rëndësinë e këtij procesi.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Njerëzve që nuk dëgjojnë në Shqipëri, Eduard Ajazi,
falenderoi Ministrinë e Punës për inisiativën e marrë dhe u ndal në rëndësinë që ka për
personat që nuk dëgjojnë, zyrtarizimi i gjuhës së shenjave edhe në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutua mbi nisjen e procesit për Zyrtarizimin e Gjuhës së Shenjave në vendin tonë.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të aktiviteteve që shoqërojnë procesin drejt ratifikimit
të Konventës së OKB-së për Personat me aftësi të kufizuara, nga Parlamenti shqiptar.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





