Transmetuar më 03-05-2012, 11:47

Tiranë, 3 maj 2012, NOA/A.Ymeraj- Në seancën e nisur pak çaste më parë një fjalim përshëndetës mbajti Komisionieri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle.

“Dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për të përsëritur mesazhin se unë e shoh të ardhmen e Shqipërisë në BE, ashtu si e shikojnë edhe shumica e shqiptarëve. Kjo është themelore për procesin e reformave që duhen kryer drejt Bashkimit Europian. Për këtë duhet një përpjekje kombëtare, dhe për këtë duhet të punojnë si Qeveria edhe opozita dhe institucionet për zbatimin e ligjit. Duke punuar së bashku për vendin dhe qytetarët tuaj ju mund të arrini standarde të larta në jetën politike, ekonomike dhe sociale, ashtu si të BE”, u shpreh Fyle, raporton noa.al.

Sipas tij, me gjithë krizën aktuale financiare integrimi europian është përgjigja e duhur ndaj popujve europian për këto sfida.

Fyle tha se nxitja e demokracisë dhe lirive themelore është një pjesë kyçe e politikës së Bashkimit Europian, përfitimet strukturore ekonomike strukturore do ta ndihmojnë Europën të ripërtërihet sërish dhe të bëhet një Europë ekonomikisht më e fortë.

Komisioneri për Zgjerimin në BE theksoi se po të shikohen rezultatet e politikës së zgjerimit, ku vendet në rajon përfshirë Shqipërinë po bëjnë përparime të dukshme.

Në këtë linjë ai shtoi se, “Pas marrëveshjes Qeveri-opozitë shoh që janë bërë përpjekje të vërteta në të dyja krahët për të çuar përpara reformat në Shqipëri, si Avokati i Popullit, më pas miratimi i disa ligjeve që përkonin me shumicë me 3/5 si dhe progres serioz në reformën zgjedhore dhe parlamentare, për më tepër rezultatet e para konkrete që burojnë nga zbatimi i planit të veprimit sipas opinionit të KE janë inkurajuese. Synimi ynë i përbashkët për statusin e kandidatit dhe më tej anëtarësimi ka nevojë për përpjekje, nuk ka vend për vetëkënaqësi, ecuria do varet nga dialogu mes forcave politike, aftësia juaj për të gjetur konsensus në parlament. E di që konsensusi është i vështirë sepse kërkon kompromise të vështira por përvoja jonë ka treguar se kompromisi mund të arrihet vetëm kur ka kompromise konkrete si dhe në reformat që lidhen me BE”.

Ndër të tjera Fyle konstatoi katër pika ku politika duhet të ndalet në kuadër të integrimit: Reforma zgjedhore; Roli i parlamentit; Sundimi i ligjit; Të drejtat e njeriut.

Komisionieri i BE u ndal në zhvillimin e duhur të zgjedhjeve, që sipas tij mbetet kërkesë qendrore për Shqipërinë, për integrimin në BE.

Ai e cilësoi si themelore përfundimin e punës së nisur nga komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, ndërsa kërkoi që të tregohen rezultate para zgjedhjeve parlamentare.

Lidhur me zgjedhjen e Presidentit ai tha se ky proces duhet të zhvillohet sipas Kushtetutës.

Ndër të tjara ai kërkoi që të zbardhen hetimet për 21 janarin dhe të dalin para drejtësisë përgjegjësit. a.y/noa.al

LEXONI GJITHASHTU:

Topi pret Komisionerin Fyle: Presidenti i ri mbi partitë

Presidenti, Berisha: Kandidatë ka, por procesi ka afatet e tij

Partia Socialiste, komunikatë zyrtare për takimin Rama-Fyle

Komisionieri Fyle: E ardhmja e Shqipërisë është në BE

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit