

Në takimin me Komisionerin për Zgjerimin, zotin Stefan Fyle, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shprehur vlerësimin për kontributin e rëndësishëm të Bashkimit Evropian për proceset integruese të Shqipërisë, raporton noa.al duke cituar një komunikatë zyrtare të PS.
Mësohet se z.Rama, e informoi Komisionerin për ecurinë e reformës parlamentare dhe zgjedhore, duke vënë në dukje rëndësinë e përfundimit të këtyre reformave brenda afateve të kërkuara.
Kryetari i PS renditi një sërë çështjesh që mbeten për t’u adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median.
Kryetari i PS rikonfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë.
Komisioneri Füle përgëzoi Kryetarin e Partisë Socialiste për rolin konstruktiv që ka luajtur opozita për ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për rajonin.
Kryetari i PS informoi, gjithashtu, për qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Komisioneri Füle e vlerësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm politik për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Komisioneri Füle deklaroi se dera e Bashkimit Evropian mbetet e hapur dhe nga Shqipëria priten mesazhe pozitive. e.t/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





