Transmetuar më 02-05-2012, 15:47

Tiranë, 2 maj 2012, NOA – Policia e Tiranës thotë se pista kryesore e hetimit për ekzekutimin e pronarit të tavernës pranë Prokurorisë së Tiranës, Nikolin Doda, është hakmarrja, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Zëdhënësja e Policisë së Tiranës Alma Katragjini theksoi se 42-vjeçari Nikolin Doda u qëllua me breshëri arme në momentin kur po dilte nga taverna e tij me disa miq.

Në këtë kontekst, Policia e Tiranës bëri me dije se “Sot rreth orës 01.15’ në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” në Tiranë, në ambjentet e lokal taverna “San Marko” janë qëlluar më armë zjarri shtetasit Nikolin Doda, 42 vjeç, i cili përgjatë rrugës për në spital ka gjetur vdekjen, Uran Doda, 42 vjeç, i plagosur me armë zjarri dhe aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën; Agron Doçi, 41 vjeç, aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe Ilmi Meta, 40 vjeç, jashtë rrezikut për jetën.

Katragjini nënvizoi se pronari i tavernës ka qenë duke dalë nga lokali nën shoqërinë e miqve të tij, në momentin kur u qëlluan.

Ajo bëri me dije se gjatë ecurisë së hetimit po hetohet në disa pista, por sipas saj kryesorja është pista e hakmarrjes.

Zëdhënësja Katragjini e argumentoi këtë me faktin se në vitin 1997, viktima, Nikolin Doda ka kryer një tentativë vrasjeje, për të cilën ka kryer dënimin.

“Gjatë ecurisë së hetimit me synim zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarje, është duke u hetuar në disa pista ndërkohë që pista kryesore dyshohet të jetë për motive hakmarrje, pasi viktima në vitin 1997 ka kryer një tentativë vrasje me pasojë plagosjen e rëndë të një shtetasi. Për këtë ngjarje, viktima ka kryer dënimin nga viti 1997 deri në 2005 në qytetin e Lezhës”, tha Katragjini.

Grupi hetimor, tha zëdhënësja e policisë, i kryesuar nga Prokurorët e Krimeve të Rënda po hetojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit