

Tiranë, 2 maj 2012, NOA – Vendimin e Gjykatës së Prishtinës për shpalljen të pafajshëm të deputetit të Kuvendit të Kosovës Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të UÇK-së Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi e Naser Shala nga akuzat për krime lufte në rastin “Kleçka” e ka përshëndetur Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në një deklaratë për shtyp, PDIU thekson se “Vendimi i Gjykatës së Prishtinës tregon edhe një herë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë për një çështje të madhe kombëtare dhe që nuk kaloi në asnjë rrethanë caqet e një lufte të drejtë. Fatmir Limaj dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij janë dhe mbeten figurat kryesore të pavarësisë së Kosovës, që sakrifikuan gjithçka për atdheun. Ky është vendimi i dytë shfajësues së Limajt për çështjen Kleçka, pas vendimit të marrë në mars të këtij viti”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.
Partia e çamëve thotë se ka besuar në pafajësinë e komandant Çelikut, ndaj ka bërë thirrje për t’i dhënë kohën e duhur drejtësisë për ta thënë fjalën e saj.
“Siç ne e dimë të gjithë sovraniteti në Kosovë, është i ndarë me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht të Perëndimit, sidomos në fushën e drejtësisë”, nënvizon PDIU.
PDIU-ja nënvizon gjithashtu se forcimi i marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare, me Perëndimin, me në krye SHBA-të, si dikur në luftë, është boshti kyç mbi të cilin duhet të ecë shteti i ri i Kosovës, shoqëria dhe politika e saj.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





