Transmetuar më 02-05-2012, 13:36

Tiranë, 2 maj 2012, NOA – Shpëtim Idrizi e vlerëson kandidaturën e Fatos Nanos si një person me profil të qartë politik që i përmbush kërkesat për një President konsensual.

Në përfundim të takimit me Fatos Nanon, Shpëtim Idrizi, kryetari i partisë që mbron interesat e çamëve në trojet e tyre etnike deklaroi se dëshira e PDIU-së është që të zgjidhet një President Republike konsensual dhe me një profil të qartë politik.

Kreu i PDIU-së tha se Fatos Nano gjatë takimit me të prezantoi platformën e tij si president konsensual, që synon integrimin e shpejtë të vendit në Bashkimin Europian.

“Ishte një diskutim i gjatë ku Nano na parashtroi platformën e tij konsensuale dhe me vizion gjithëpërfshirës, të cilën e vlerësojmë. Ne si parti vlerësojmë faktin që Presidenti i Republikës të ketë një platformë e profil të lartë publik dhe politik, në mënyrë që mos kemi një president anonim. Urojmë që shqiptarët të kenë një president konsensual”, u shpreh Idrizi.

Sipas Idrizit, Presidenti i Republikës duhet të ketë një profil të qartë politik dhe publik, dhe se duhet të jetë garant jo vetëm i Kushtetutës nen për nen, por sipas tij edhe ta lexojë Kushtetutën në mënyrë integrale.

“Ne duhet t’i japim vendit një president të të gjitha palëve dhe me një vizion të qartë për anëtarësimin e vendit. Ne e vlerësojmë figurën e Fatos Nanos si një person me profil të qartë politik. Dëshira jonë është që të kemi një proces konsensual përmes një procesi gjithëpërfshirës”, deklaroi kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, duke shtuar se “zoti Nano është një person me eksperiencë të gjatë dhe besoj se i përmbush tërë këto kërkesa. Ne do të japim gjithë kontributin tonë që Presidenti i Republikës të jetë një figurë e mirëpranuar politike”, tha Idrizi.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit