Transmetuar më 02-05-2012, 10:29

Prishtinë, 2 maj 2012, NOA – Gjykata e Prishtinës pritet të marrë sot vendimin për procesin gjyqësor “Kleçka”, kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të UÇK-së Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi. Avokatët mbrojtës të të akuzuarve u shprehën se vendimi i trupit gjykues do të çlirojë nga akuzat katër të pandehurit, për shkak se sipas tyre ato janë të pabaza.

Gjykata e Prishtinës kishte vendosur më parë të vijonte procesin gjyqësor ndaj katër të akuzuarve për krime lufte, në rastin e shumëpërfolur “Kleçka”, me argumentin se gjatë kohës për të cilën akuzohen, ata kanë patur pozita komanduese.

Prokurori dhe avokatët mbrojtës kanë vendosur që dëshmitë e mbetura të konsiderohen si të lexuara, duke shmangur një seancë të dytë të shqyrtimit gjyqësor.

Trupi gjykues, mori vendimin që dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”, të jenë të papranueshme.

Mbi bazën e kësaj, mbrojtja shpreh bindjen se vendimi i sotëm do të sjellë lirimin e katër të pandehurve.

Seanca gjyqësore ka nisur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në orën 10:00. mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit