

Prishtinë, 1 maj 2012, NOA – Gjykata e Prishtinës pritet që të mërkurën të marrë vendimin për rastin “Kleçka”, në procesin gjyqësor kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.
Sipas gazetës Express, mbrojtja e të akuzuarve ka shprehur bindjen se vendimi i nesërm i trupit gjykues do të çlirojë katër të pandehurit, për shkak se sipas tyre kjo akuzë nuk ka baza.
Ndaj katër të akuzuarve për krime lufte, në rastin e shumëpërfolur “Kleçka”, trupi gjykues kishte vendosur kohë më parë që të vazhdonte gjykimi, me argumentimin se gjatë kohës për të cilën akuzohen, ata kanë patur pozita komanduese.
Pas vendimit për vazhdimin e gjykimit ndaj tyre, prokurori dhe avokatët mbrojtës kishin vendosur që dëshmitë e mbetura të konsiderohen si të lexuara, duke shmangur një seancë të dytë të shqyrtimit gjyqësor.
Për më tepër, trupi gjykues, kohë më parë, ka marrë vendim që dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari “X”, të jenë të papranueshme duke i veçuar nga shkresat e lëndës. Mbi bazën e kësaj, mbrojtja shpreh bindjen se vendimi i nesërm do të jetë lirues për katër të pandehurit të mbetur për gjykim në këtë rast, pasi që mbrojtja ka thënë se prokurori ato dëshmi i ka konsideruar si bosht të lëndës.
Seanca e nesërme pritet të mbahet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në orën 10:00.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





