

Bruksel, 1 maj 2012, NOA – Teksa Komisioni Zgjedhor në Serbi ka përcaktuar 28 Qendrat e Votimit me 90 vendvotime në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 6 majit, Bashkimi Europian përshëndeti marrëveshjen e fundit mes OSBE-së dhe Qeverisë serbe për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë nga misioni ndërkombëtar.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, baronesha Catherine Ashton e mirëpriti marrëveshjen e nënshkruar të shtunën që do të lehtësojë zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës, bën me dije REL.
“Përfaqësuesja e lartë e BE-së mirëpret marrëveshjen e arritur për lehtësimin nga ana e OSBE-së për votimet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, dhe shpreh mirënjohjen e saj dhe mbështetjen e plotë për OSBE-në, që të kryejë punën në cilësinë e lehtësuesit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kabineti i baroneshës Ashton.
Baronesha fton Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë bashkëpunimin me OSBE-në me vullnet të mirë, në mënyrë që votimet të zhvillohen qetësisht dhe pa incidente.
Kryediplomatja e BE-së i fton të gjithë qytetarët e dy vendeve të përmbahen dhe të shmangin çdo veprim që nxit tensione.
Në fund të prononcimit të saj, për zgjedhjet e Serbisë që do të zhvillohen në territorin e Kosovës më 6 maj, Catherine Ashton bën me dije se EULEX-i do të vëzhgojë situatën e sigurisë, dhe do të zbatojë mandatin e vet në bashkëpunim të ngushtë edhe me aktorët tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë.
Brukseli dhe NATO e shohin me shqetësim tensionimin e situatës gjatë mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.
Për këtë arsye NATO ka shtuan numrin e ushtarëve të saj në Kosovë, ndërsa bashkë me BE-së kanë intensifikuar kontaktet me autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë duke u kërkuar të shmangin tensionimin e situatës në veriun e Kosovës.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





