

Shkodër, 1 maj 2012, NOA- Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vijon vaksinimin kundër brucelozës ku në zonën e Shkodrës po vaksinohen me qindra bagëti të imta.
Veterinerët e Qarkut të Shkodrës, të mbështetur dhe nga drejtues të Ministrisë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatori, kanë nisur vaksinimin e deleve dhe dhive në fshatrat e Shkodrës, Lezhës Malësisë së Madhe dhe Pukës.
Siç raporton noa.al, të mbështetur teknikisht dhe me vaksina nga Projekti PAZA, veterinerët nisën vaksinimin në komunën e Bushatit dhe fshatrat përreth.
Në një aktivitet, ku morën pjesë dhe krerë lokale, veterinerët kanë treguar se si vaksinohen të imtat, duke kërkuar vetëm pak minuta kohë. Gjatë vaksinimit në komunën Bushat, pati përkrahje dhe falënderime nga krerët lokalë, por u kërkua një bashkëpunim i koordinuar me qëllim çrrënjosjen e brucelozës nga kafshët.
“Bashkëpunimi duhet të jetë i kujdesshëm me njësitë e qeverisjes vendore, me qëllim që të gjithë ne tu vijmë në ndihmë fermerëve, pasi ata meritojnë përkujdesje të madhe”, tha Zef Hila kryetari i komunës Bushat.
Në zonën e Shkodrës janë të regjistruara 8 mijë e 242 ferma dhe në total janë rreth 148 mijë bagëti të imta që do të vaksinohen në kuadër të fushatës kombëtare “Një pikë në sy”. Ndërkohë në rrethin e Lezhës janë regjistruar mbi 4 mijë e 700 ferma me rreth 73 mijë dele dhe dhi. Gjatë javës së kaluar, një aktivitet i ngjashëm u zhvillua në komunën Fushë-Peshtan të Beratit.
Fushata e Vaksinimit do të zgjasë për 45 ditë, periudhë gjatë së cilës do të angazhohen plotësisht 750 veterinerë në të gjithë vendin. Rreth 2.5 milionë krerë dhi dhe dele do të vaksinohen përgjatë këtyre ditëve dhe në mbyllje të këtij procesi madhor, do të kemi jetë në kontroll të plotë shëndeti i kafshëve, rreth 85 mijë fermerëve dhe personave që kanë kontakte të drejtpërdrejta me bagëtitë.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





